Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka bërë të ditur se aktualisht 13 qytetarë të Kosovës ndodhen ende në territorin e Izraelit, por deri tani nuk kanë shprehur interesim për evakuim, pavarësisht përkeqësimit të situatës së sigurisë.
Kjo ministri në një njoftim në Facebook njoftoi se në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Izrael, ka përmbyllur me sukses evakuimin e disa qytetarëve të Kosovës që ndodheshin atje në ditët e para të përshkallëzimit të krizës me Iranin. Evakuimi është bërë përmes Jordanisë dhe Egjiptit, me ndihmën e autoriteteve izraelite dhe mbështetjen e ambasadave të Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Egjiptit.
MPJD-ja shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e ofruar gjatë këtij procesi dhe bëri të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët e mbetur në Izrael.
“Një shtetase e Kosovës, që ndodhet në trajtim mjekësor në spitalin “Soroka” në qytetin Be’er Sheva – ku së fundmi është raportuar për një sulm – fatmirësisht nuk ishte e pranishme gjatë incidentit dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore”, vijon tutje njoftimi.
Ambasada e Kosovës në Izrael po punon gjithashtu për evakuimin e një qytetari tjetër, i cili është në proces të largimit përmes Egjiptit.
Në fund, Ministria i ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ndodhen ende në Izrael të tregojnë kujdes maksimal, të qëndrojnë në zona të sigurta dhe të ndjekin udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit, të cilat mund të gjenden të përditësuara në gjuhën angleze në linkun: https://www.oref.org.il/eng
Për ndihmë apo informacion, qytetarët mund të kontaktojnë Ambasadën e Kosovës në Izrael në:
📱 +972 (0) 586 340 450