Kryetari aktual i Komunës së Vushtrrisë dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, për një mandat të dytë, Ferit Idrizi, ka njoftuar se pas debatit në RTV Dukagjini, është bërë objekt i një kërcënimi nga kandidati tjetër për kryetar të Vushtrrisë.
Në një reagim publik, Idrizi ka bërë të ditur se menjëherë pas incidentit ka dhënë dëshminë e tij në stacionin e policisë në Prishtinë, së bashku me dëshmitarët e tjerë që kanë qenë të pranishëm gjatë ngjarjes.
Ai ka konfirmuar se rasti është tashmë në trajtim nga institucionet përkatëse të rendit dhe drejtësisë.
“Pas debatit të sotëm në RTV Dukagjini me Jeta Xharrën, kam qenë objekt i një kërcënimi nga kandidati tjetër. Bashkë me dëshmitarët tjerë, sapo kemi dhënë dëshminë në stacionin e policisë në Prishtinë. Rasti është në trajtim nga institucionet përkatëse,” — ka deklaruar Idrizi.
Kandidati i PDK-së ka dënuar ashpër aktin e kërcënimit, duke theksuar se gara zgjedhore duhet të zhvillohet mbi ide, vizione dhe projekte konkrete, e jo përmes frikësimit apo presioneve personale.
“E dënoj këtë akt dhe ju kërkoj ndjesë qytetarëve për shqetësimin. Gara për Vushtrrinë duhet të mbetet garë idesh dhe projektesh, jo kërcënimesh,” — ka shtuar ai.
