Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ymer Fejzullahu, nuk iu përgjigj pyetjes së Agjencisë së lajmeve Ekonomia Online nëse do të hyjë në fuqi sot a jo shtrenjtimi i energjisë elektrike 15 për qind , siç kishte paralajmëruar kohë më parë.
Paralajmërimi për shtrenjtim të rrymës ka shkaktuar reagime të shumta dhe ngjalli pakënaqësi të gjerë ndër qytetarë dhe biznese. Në këtë kuadër, më 5 prill në Prishtinë do të mabhet protestë kundër shtrenjtimit të rrymës.
Edhe Presidenca e Kosovës e ka kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke konsideruar se ai është nuk është në përputhje me kornizën ligjore që obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike në vend.
“Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar po ashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale”, është thënë në komunikatën e Presidencës së Kosovës./Ekonomia online/