Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar ftesën e Albin Kurtit për një takim konsultativ në kuadër të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re. Në një letër publike drejtuar qytetarëve, Abdixhiku theksoi se për LDK-në fjala është zotim dhe se nuk mund të ketë bashkëpunim pas një fushate të gjatë ofendimesh dhe sulmesh ndaj partisë së tij.
“Një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik,” u shpreh Abdixhiku, duke shtuar se LDK i qëndron besnike fjalëve dhe vendimeve të dhëna.
Ai konfirmoi mbështetjen për konstituimin e Kuvendit më 15 prill dhe njohu të drejtën kushtetuese të partisë së parë për të formuar qeverinë, duke nënvizuar se qëndrimet e LDK-së mbesin të pandryshuara.
