Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë përuruar pikën e përbashkët kufitare “Hani i Elezit – Bllacë”. Udhëheqësit e të dyja vendeve thanë se tash e tutje qytetarët do të kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës dhe se modeli i kalimit kufitar të përbashkët “One Stop Shop”, do të mundësojë lëvizje më të shpejtë dhe bashkëpunim më të mirë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se vetëm gjatë vitit të kaluar, mbi pesë milionë qytetarë kanë kaluar në tri pikat kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ky pikëkalim i përbashkët është njëri nga dy pikat e përbashkëta të kalimit kufitar të parashikuara sipas Protokollit të Zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë, të nënshkruar në nëntor 2024 gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
