Qeveria e Kosovës miratoi propozim-vendimin për themelimin e Grupin koordinues dhe Grupin intervenues për mishngrënësit e mëdhenj: ariun e murrmë, rrëqebullin ballkanik dhe ujkun, raporton Ekonomia Online.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, tha se këto grupe do të kontribuojnë në sigurinë publike dhe në parandalimin e veprimit të paligjshëm ndaj specieve të mbrojtura.
“Qëllimi kryesor i grupit koordinues është që të shërbejë si këshilldhënës dhe koordinues ndërinstitucional që do të zhvillojë politika për menaxhimin dhe ruajtjen e mishngrënësve të mëdhenj. Ndërsa, qëllimi kryesor i grupit intervenues është që të veprojë në mënyrë të shpejtë dhe të koordinojë në situata urgjente që përfshin mishngrënësit e mëdhenj si dhe të kontribuojë në menaxhimin e tyre më terren”, tha Peci.
