Këto ditë doli nga shtypi studimi i autorit Vehbi Miftari, pranë shtëpisë botuese “Toena” dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Libri shtron raportin mes letërsisë së frymës nacionale dhe prirjes ripërtëritëse të kombeve, të aplikuar mbi një tip letërsie e mbi një korpus veprash letrare: letërsinë e hershme shqipe (humanistët e filobiblistët) dhe atë romantike. E para mundëson shqyrtimin e zanafillës së mendimit të autorëve të hershëm shqiptarë mbi bashkësitë kulturore, gjuhësore e fetare; e dyta, për të hetuar artikulimin e pikëpamjeve mbi jetësimin e kombit dhe të instrumentit të tij politik: shtetit. Letërsia (e shkruar) shqipe është zhvilluar mbi një traditë të pasur gojore, e pashkëputur nga pikëvështrimet epike. Kjo e bën atë pjesë të vorbullës së letërsive që janë zhvilluar përbri fatkeqësive historike, duke u bërë herë pararendëse e herë pasuese e tyre, pa mundur të shkëputej asnjëherë sojesh.
Letërsia e shkruar shqipe lindi ngaqë në tokën e arbrit qe shtresuar tashmë një traditë popullore, si sinkretizim i traditës lokale dhe kulturës fetare. Ajo mundësoi shfaqjen e lokales dhe autentikes brenda kulturës universale, të cilën mesjeta e shihte të simbolizuar në institucionin e kishës. Zvetënimi i latinishtes si gjuhë e literaturës dhe e liturgjisë, kthimi i ngadaltë dhe i pashmangshëm i saj në gjuhë të administratës, rreziku që kishat e vendit ta humbnin lidhjen me grigjën (e cila kishte gjithnjë e më shumë vështirësi që të kuptonte predikimin në gjuhën latine), si dhe shtysa e madhe që protestantizmi, në njërën anë, dhe shpikja e shtypshkronjës, në anën tjetër, i dhanë synimit për të “njohur Zotin” në gjuhën (gjuhët) e vendit, bënë që Selia e Shenjtë jo vetëm të lejonte predikimin e fesë në gjuhët vernakulare, por edhe të nxiste përkthimin e botimin e teksteve liturgjike në këto gjuhë.
Ngjashëm me popujt e tjerë, edhe arbrit përkthyen e shkruan tekste, të cilat jo vetëm krijuan parabazën për kapërcimin nga kultura gojore shqipe në atë të shkruar, por përcaktuan edhe vetë karakterin e saj, si letërsi me parabazë të fuqishme biblike – letërsi filobiblike. Shkrimtaria e tyre u shndërrua në lidhëse mes kulturës së vendit dhe synimeve të njerëzve.