Zvarritja e krijimit të qeverisë së re në Kosovë mund të ketë pasoja serioze në proceset integruese të vendit, përfshirë mundësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, vlerësoi njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku.
Ai në intervistë për Ekonomia Online paralajmëroi se pa një qeveri funksionale dhe me një qëndrim të qartë për çështje kyçe si Asociacioni, Kosova rrezikon të humbasë momentumin diplomatik dhe të mbetet jashtë agjendës evropiane.
“Mendoj se në rast se mund të bëhet prolongimi i krijimit të qeverisë, ajo çka më së shumti mund të humbasë Kosova është mospërfshirja e saj në agjendën e ardhme të Këshillit të Evropës, ku mund të paraqitej si vend kandidat potencial për t’u anëtarësuar aty, edhe pse nuk e kemi të qartë se a ekziston ende në qeverinë gjermane vetoja për Asociacionin. Nëse kjo qëndron, është bukur problematike që në vend që të kemi një qeveri të re dhe që të ketë një qëndrim të ri për Asociacionin, që do të shkonte në Gjykatën Kushtetuese dhe do të plotësohej ky kushti i vetos që ka vendosur Gjermania për anëtarësim në Këshill të Evropës”, tha Sadiku.
Ai gjithashtu kritikoi ashpër sjelljen e subjekteve politike që, sipas tij, më shumë janë të fokusuara në ruajtjen e pushtetit sesa në ndërtimin e institucioneve funksionale që i shërbejnë interesit shtetëror.
“Ne përveç që nuk po e krijojmë atë klimë edhe po bëjmë autogola, po shkaktojmë probleme në krijim të institucioneve që është një mundësi e formave qeveritare të atilla që janë më tepër për të mbrojtur interesa partiake politike. Mendësia për të ruajtur më tepër pushtetin sesa shtetin, këto janë politika të gabuara. Siç ka thënë Presidenti Kennedy, gabimet në politikën e jashtme të humbin shtetin, ndërsa gabimet në politikën e brendshme veç pushtetin e pushteti nuk është i rëndësishëm kur është fjala për interes shtetëror”, tha Sadiku.
