Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit ët Kosovës, i caktuar për sot në orën 12.00, do të jetë përpjekja e tretë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të këtij institucioni ligjvënës. Por, janë njw varg pikëpyetjesh para vazhdimit të sotëm të seancës, shkruan Ekonomia Online.
Nuk dihet nëse edhe kësaj here do të votohet raporti i Komisionit verifikues të mandateve të deputetëve. Nuk ka informacion as kush do të jetë kandidati për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Peci – VV: Ata që thonë se Kurti duhet të japë dorëheqje “janë të marrë”.
Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka dhënë ndonjë informacion nëse e ka siguruar votat e nevojshme për miratimin e raportit Komisionit verifikues të mandateve të deputetëve.
Një ditë më parë , kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve pwr këtë çështje para seancës e së shtunës
“Ajo është nesër a po?”, tha Kurti.
Më 15 prill, ditën kur nisi seanca konstituive e Kuvendit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kërkuan dorëheqjen formale dhe publike të anëtarëve të Qeverisë në detyrë, që janë zgjedhur deputetë, në mënyrë që raporti për verifikimin e mandateve të miratohej.
Po atë ditë, Kurti tha se dorëheqja e tij është efektive që nga 27 marsi, kur ai e njoftoi KQZ-në se “ekzekutivi është në detyrë/dorëheqje”.
Ministri në detyrë i Bujqësisë dhe kryetarit të Guxo, partnerit në koalicion të Vetëvendosjes, Faton Peci tha për Tëvë 1deklaroi se ata që thonë se Albin Kurti duhet të japë dorëheqje “janë të marrë”.
“Të gjithë ata që konstatojnë që Albin Kurti nuk duhet me qenë kryeministër në detyrë dhe në zyrë, thjesht janë të marrë. Po e marr një situatë hipotetike, me çka jemi sfiduar më së shumti gjatë këtij mandati, nga sulmet e Serbisë të sinkronizuara me ato ruse.
Imagjinoni një situatë ku kryeministri Albin Kurti nuk është në zyrën e tij, edhe mund të përsëritet një plan ogurzi i veriut dhe Radojiçiqit, çka me thënë mekanizmat e sigurisë?”, u shpreh Peci.
Nga AAK-ja “pro” raportit, LDK dhe PDK kundër
Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë se hezitimi për votimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, ekziston tek të gjitha partitë parlamentare.
Megjithatë, ai shpreh bindjen e tij se kjo nyje, e cila është krijuar në procesin e konstituimit të Kuvendit, duhet të zgjidhet.
“Duhet ta kalojmë [miratojmë] raportin dhe të hyjmë në temë, pra, të betohen deputetët. Raportin është dashur të kalojmë [qysh në fillim]. Nuk është kjo as garë as kundërshtim”, theksoi Berisha.
Por, Lidhja Demokratike e Kosovës mendon ndryshe. Deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Besian Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë se anëtarët e ekzekutivit – të cilët janë zgjedhur dhe certifikuar si deputetë – duhet t’i deponojnë dorëheqjet e tyre në organet e Kuvendit të Kosovës.
“LDK-ja vazhdon të jetë me të njëjtat qëndrime që kanë qenë që nga fillimi i kësaj seancë konstituive. LDK-ja nuk sheh ndonjë rrugë tjetër, përveç asaj ligjore”, thekson Mustafa.
Interesimit të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje nuk i është përgjigjur PDK-ja.
Megjithatë, kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, në një paraqitje për televizionin T7, të enjten, tha se deputetët e PDK-së nuk do të tërhiqen nga qëndrimi i tyre. Ai ka theksuar se në rast se duhet të miratohet raporti në Kuvend, i takon Lëvizjes Vetëvendosje të sigurojë votat e domosdoshme për një gjë të tillë.