Opinionisti Shenoll Muharremi shkroi në Facebook se gjatë viteve të kaluara, kur kishim inflacionin më të lartë historik, kam kuptu që kapacitetet tona shoqërore dhe qeveritare, apo institucionale, nuk janë shumë të ngritura dhe as të vetëdijshme për këtë fenomen. Ndoshta nuk kemi faj, se nuk kemi pas shumë shkolla e institute që janë specializu për inflacion. Rrjedhimisht, rreziku nga inflacioni nuk ka qenë i ditur.
“Kur qeveria e Kosovës dilke e thoshte që kemi rritjen më të lartë në Europë, e në anën tjetër, në të njëjtën kohë, qeveria gjermane e fuste artificialisht ekonominë e vet në recesion vetëm me e mbrojtë prej inflacionit (me kontrollu dhe shkatërru kërkesën në treg), aty u pa qartë që ka një keqkuptim të thellë me këtë temë thelbësore në ekonomi.
Me i ra shkurt. Në Kosovë nuk është kuptu rreziku, sidomos fakti që inflacioni është kancer për ekonomi. I heshtur, shkatërrimtar, i parikuperueshëm. E në vend se me e kontrollu dhe adresu, duke e stimulu (gabimisht) rritjen, e kemi ushqy inflacionin dhe kancerin ekonomik.
Tash, me rritjen e faturave të energjisë, po përsëritet i njëjti gabim. Po shihet si diçka teknike dhe nuk po merren parasysh efektet inflacionare në ekonomi. Po shihet veç fatura e rrymës, po në fakt efektet negative zingjirore janë krejt tjetër kah, në ekonomi, te rënia e fuqisë blerëse, dhe sidomos te rritja e kostove operacionale për biznese.
Ky ndikim negativ shkon aq larg, sa i bën bizneset dhe produktet e shërbimet tona më pak konkurrente, dhe fatkeqësisht e përshkallëzon edhe më tepër importin dhe deficitin. E godet eksportin (edhe ashtu të vogël) se produktet dhe shërbimet tona bëhen më të shtrenjta.
Pra, ky efekt shkon deri tek siguria kombëtare. Pse? Sepse kur ti e shkatërron ekonominë, ti nuk mundesh as armatim me ble për mbrojtje. Vendi varfërohet dhe ekonomia nënshtrohet edhe më tepër.
Për atë, ky vendim është totalisht i gabuar dhe duhet të anulohet. Përveç që e godet qytetarin dhe familjet, fuqinë e tyre blerëse e dobëson edhe më shumë, ai ka efekte të thella në ekonomi, e deri tek siguria kombëtare. Ne duhet me gjet zgjidhje tjera praktike që i evitojnë këto ndikime. Zgjidhje ka, shkroi Shenoll Muharremi.