Albulena Haxhiu as në votimin e dytë nuk u zgjodh kryetare e Kuvendit. 57 vota ishin për, 19 kundër dhe 3 abstenime, raporton Ekonomia Online.
Haxhiut që u propozua për këtë post nga Lëvizja Vetëvendosje i nevojiteshin së paku 61 vota.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ndërpreu seancën dhe e caktoi seancën e re për të hënën në orën 15.00.
Më parë , nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u bëri thirrje deputetëve që ta votojnë kandidaten e propozuar Albulena Haxhiu për kryeparlamentare.
“Ju kisha lutur edhe juve si kolegë që ta mbështesni këtë propozim, sepse kështu nuk bëhemi pjesë e bllokimit. T’i thirrim arsyes që ta votojmë dhe të shkojmë në fazat tjera të formimit të institucioneve”, tha Konjufca.
Por, Haxhiu mori përkrahje nga i njëjti numër i deputetëve sikurse në votimin e parë.
Seancës konstituive i parapriu miratimi njëzëri i raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve, që mundësoi betimin e deputetëve të legjislaturës së nëntë.
Krasniqi – PDK: S’jemi të obliguar ta votojmë propozimin e Vetëvendosjes
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ai dhe deputetët e tjerë të zgjedhur nuk janë të obliguar të votojnë pro propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeparlamentarit, duke iu referuar thirrjes së nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, drejtuar deputetëve që të përkrahin propozimin për herë të dytë të Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.
“Ne shpresojmë që kjo bllokadë të mos vazhdojë sepse e vërteta është që propozimi i takon grupit parlamentar me numrin më të madh të deputetëve, por nuk është obligative që deputetët ta votojnë.
Shpresoj që ata do të mendojnë, do të provojnë të kenë ndonjë kandidat/e tjetër që mund të ketë mbështetje më të madhe”, tha Krasniqi.
Limaj-Nisma: Shumë shpejt do të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria
Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i Nismës Socialdemokrate , Fatmir Limaj, e cilësoi si lajm të mirë votimin e raportit për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve.
“Kosova tani ka Parlament dhe deputetë dhe ata do të gjejnë rrugë për hapa të tjerë”, tha ai.
Shumë shpejt edhe këto pjesë tjera do të përfundojnë dhe sipas ligjit dhe Kushtetutës të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria”, tha Limaj, ndërsa për abstenimin për propozimin e Vetëvendosje për postin e kryetares së Kuvendit shtoi se është e drejtë e tij.
Peci – Vetëvendosje: Thirrje opozitës ta votojë kryeparlamentarin, s’ka zgjidhje tjetër
Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka kërkuar nga partitë opozitare që të mos e vonojnë procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, duke theksuar se kjo e drejtë i takon ekskluzivisht grupit më të madh parlamentar – Lëvizjes Vetëvendosje.
“Jemi në një momentum të ri. E drejta për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar. I bëj thirrje opozitës që të mos e vonojnë këtë pikë pasi kryetari i Kuvendit i takon ekskluzivisht VV-së”, tha Peci.
Ai shtoi se është menduar që opozita tashmë e ka tejkaluar “xhelozinë për humbjen e zgjedhjeve”, por pavarësisht kësaj, topi është në fushën e tyre.
“Sido që të jetë, është në dorën e tyre ta aprovojnë propozimin e VV-së për kryetar të Kuvendit. Në të kundërtën, nuk ka opsion tjetër”, përfundoi ai.