Izet Sadiku, kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka ndarë sot një reflektim për rolin historik të Presidentit Ibrahim Rugova gjatë viteve të 90-ta, me rastin e promovimit të librave “TË PREMTET” nga autori Adnan Merovci.
Sadiku ka theksuar rëndësinë e konferencave për shtyp të Presidentit Rugova, të cilat sipas tij, ishin mënyra më e mirë për të komunikuar dhe mbrojtur qëndrimet për kauzën e Kosovës në periudhën e luftërave në ish-Jugosllavi.
“Konferencat pasqyronin angazhimin e tij për dialog dhe stabilitet, ku Rugova theksonte rëndësinë e paqes, unitetit dhe dialogut për zgjidhjen e çështjes së Kosovës,” ka shkruar Sadiku në një postim në rrjetet sociale.
Sadiku, i cili ka pasur rastin të punojë nga afër me Presidentin Rugova, e vlerëson atë si lider që i dha Kosovës një vizion të qartë për shtetndërtimin dhe prosperitetin e saj.
Postimi i plotë:
Sot mora pjesë në promovimin e librave “TË PREMTET”, të autorit Adnan Merovci.
Konferencat për Shtyp të Presidentit Rugova gjatë periudhës së viteve 90 kanë qenë forma më e mirë për të paraqitur qëndrimet e Presidentit për kauzën e Kosovës dhe trojeve shqiptare në kohën e luftërave në ish Jugosllavi.
Këto konferenca pasqyronin angazhimin e tij për dialog dhe stabilitet, ku Rugova theksonte rëndësinë e paqes, unitetit dhe dialogut për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Unë kisha nderin të njoh dhe të punoj nga afër me Presidentin Rugova, një njeri i cili i dha popullit të Kosovës një vizion të qartë për shtetin e Kosovës.