Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarave për përvetësim në detyrë- Fllanza Shabi dhe Fatime Hoti-Abazi, dëshmitarja Venera Humolli deklaroi se është e paqartë se si mund të kishte ndodhur mungesa e mjeteve kur sipas saj çdo herë ishin barazuar arkat.
Fllanza Shabi dhe Fatime Hoti-Abazi akuzohen se në cilësinë e zyrtareve të PTK-së, gjatë periudhës 2009-2012 kishin përvetësuar shumën prej 76 mijë e 151 euro e 16 centë, e cila u ishte besuar për shkak të pozitës së tyre për shërbimet e “Western Union” në Postën e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Për mua është e paqartë se si ka ardhë deri të mungesa e këtyre mjeteve në PTK, pasi që çdo herë është bërë barazimi i tyre dhe çdo herë në fundvit arkat kanë qenë boshe për arsye se nuk ke guxu me lanë asnjë cent”, tha Humolli.
Dëshmitarja tregoi se kishte punuar në sportelin e dërgesave postare, mirëpo kishte edhe raste kur ka zëvendësuar kolegët sportelistë.
Sipas saj, dy të akuzuarat kishin për obligim që të bëjnë raportin ditor për Western Union, po ashtu edhe në mënyrë elektronike.
“Këto kanë pas për obligim, si Fllanza ashtu edhe Fatimja të bëjnë raportin ditor për Western Union”, tha Humolli.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 13 gusht 2018, e akuzuara Fllanza Shabi, në cilësinë e zyrtares së shitjes së PTK-së në Prishtinë, në zyrën postare nr.10 dhe Fatime Hoti-Abazi, si zyrtare e teleshitjes në PTK, akuzohen se me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo për tjetrin, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i kishin tejkaluar kompetencat e tyre.
Gjithnjë sipas akuzës, të akuzuarat në periudhën 2009-2012, kanë përvetësuar shumën e parave prej 76.151,16 euro, e cila i ishte besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tyre për shërbimet e “Western Union”, në Postën e Kosovës.
Prokuroria pretendon se një mungesë të tillë të të hollave e ka zbuluar Auditori i Brendshëm i Postës dhe Komisioni për verifikimin e kërkesave të hapura në zyra postare për shërbimet e “Western Union”.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarat se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, e sanksionuar sipas nenit 425, par.3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.