Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ashpër ndaj Vetëvendosjes (VV) pas dështimit të tetë me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka akuzuar partinë në pushtet se po redukton vlerat dhe historinë e grave vetëm në identitetin e tyre biologjik, duke vënë theksin tek gjinia e kandidates për postin e Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Postimi:
Përtej analizës politike: Kur gjinia përdoret si mbrojtje, humbin gratë
Në përpjekjen për të “mbrojtur” kandidaten e tyre për Kryetare të Kuvendit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në vend që të theksojnë vlerat dhe kontributin e saj politik, kanë zgjedhur ta reduktojnë tërë historinë e saj në një fakt biologjik: ajo është grua.
Pra, sipas tyre, duhet votuar – jo për përgatitjen apo lidershipin – por sepse është grua. Në një analizë politike, do të sqaroja të gjitha rrethanat pse Albulena Haxhiu nuk i ka aftësitë e lidershipit apo përgaditjen e nevojshme, por për hir të mesazhit këtu, nuk po hyj në atë analizë.
Me këtë gjuhë të VV, nën maskën e progresivitetit, po prodhohet një regres i thellë: gratë po kthehen në objekte politike për përdorim retorik, jo subjekte me fuqinë për të udhëhequr në bazë të meritës.
Në këtë mënyrë, pa vetëdije, këta deputetë po e minojnë vetë pozitën e gruas në politikë. Jo duke e luftuar patriarkatin, por duke e ricikluar atë – në formën më tinëzare: patronizimin e saj përmes mbrojtjes artificiale.
Historia e grave në politikën kosovare – dhe më gjerë – është një histori e betejës, jo e favorizimit. Ka pasur dhe ka gra që janë ngjitur në majat e shtetit jo për shkak të gjinisë, por pavarësisht gjinisë së tyre. Sepse për to, gratë nuk ishin kuota, por individë me kapacitete, përgatitje dhe integritet.
Ato nuk kanë kërkuar mbështetje për shkak se janë gra, por sepse janë të zonjat. Sepse kanë ditur, siç thoshte Simone de Beauvoir, se:
“Nuk lindim gra – bëhemi.”
Në vend që të instrumentalizohet gjinia, duhet të theksohet puna, karakteri, qëndrueshmëria, vizioni dhe kontributi. Sepse po të ishte gjinia e mjaftueshme, historia nuk do të kishte pasur nevojë për figurat si Madeleine Albright, Angela Merkel, Golda Meir etj.
Kur politika përdor vlera të mëdha për qëllime të vogla, shkatërron të dyja.
Në momentin që betejat e grave në politikë degradohen nga vlerat meritokratike në “merita gjinore”, kemi humbur terren. Jo vetëm si shoqëri që pretendon të jetë demokratike, por si njerëz që kërkojnë drejtësi.
Një grua nuk ka nevojë të mbrohet për shkak se është grua. Ajo ka nevojë të mbështetet për shkak se është e aftë. E prandaj, në këtë rrafsh, një grua që mëton pushtet, duhet të jetë e aftë për të, e jo t’a qaj hallin e mos-pranimit të saj në faktin që është grua.
Koha është që gratë të mos përdoren si flamuj simbolikë, por të trajtohen si forca reale politike. Sepse përndryshe, nuk është gjinia ajo që po përdoret – por vetë dinjiteti njerëzor.