Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës organizoi sot mbajti konferencë me temën “Fuqizimi i bashkëpunimit ndëretnik në mediat në Kosovë”, në të cilën u theksua rëndësia e bashkëpunimit profesional dhe përdorimit të barabartë të gjuhëve zyrtare, raporton Ekonomia Online.
Arta Pllana nga Zyra e Komisionerit për Gjuhë theksoi se bashkëpunimi me gazetarët ka qenë kyç në trajtimin e ankesave për shkeljet gjuhësore, duke ndjekur modelin e Irlandës.
“Kohët e fundit AGK-ja është shumë energjike për përdorimin e gjuhës zyrtare. E kemi marrë modelin e Irlandës, ku na kanë shpjeguar të gjitha çështjet e mospajtimit e të mospërdorimit të gjuhëve. Fillimisht gazetarëve u ka ndihmuar më së shumti. Edhe ne kemi bërë të njëjtën. Fillimisht kemi bërë takim me gazetarë dhe vërshuan shumë ankesa për përdorimin e Ligjit të gjuhës. Kemi pasur një qasje pragmatike, meqë ankesat kanë qenë të tilla. U kemi shpjeguar që të gjitha ftesat përkthimet duhet të sigurohen edhe për gazetarët shqiptarë dhe kështu kemi filluar punën”, tha Pllana.
Ushtruesi i detyrës së shefit të seksionit të mediave në OSBE, Arben Haredinaj, theksoi rëndësinë e shkëmbimeve rajonale ndërmjet gazetarëve të rinj për ndërtimin e mirëkuptimit dhe profesionalizmit.
“Është shumë e rëndësishme për tejkalimin e sfidave me të cilat ballafaqohen gazetarët. Mediat funksionojnë shumë më mirë kur gazetarët bashkëpunojnë dhe mundësojnë një ambient më të mirë për funksionimin e mediave. Ka shumë projekte, por do ta veçoja programin e bërë nga viti 2017 që ka marrë për bazë një grup të gazetarëve që ka funksionuar për mrekulli. Kanë marrë pjesë në programin tonë dhe qëllimi ishte të njihen për së afërmi dhe tendenca ka qenë që të jenë gazetarë të rinj. Të shohim si funksionojnë institucionet e mediave dhe si të bashkëpunohet. Gazetarët vizitojnë institucionet e medias në Kosovë, pastaj edhe në Beograd dhe Tiranë. Është një xhiro në rajon, ku takohen me përfaqësuesit e mediave dhe me kolegët e tyre që marrin informata se si funksionojnë mediat dhe gazetaria”, tha Haredinaj.
Ndërsa, kryetarja e Këshillit të mediave të shkruara, Brikenda Rexhepi, tha se bashkëpunimi në gazetari shkon përtej gjuhës, duke u bazuar në vlera të përbashkëta dhe respekt profesional.
“Bashkëpunimi në fushën e gazetarisë shkon përtej gjuhës. Ai komunikimi më origjinal lidhet me gjuhën e gazetarisë dhe profesionalizmin, ku ne e gjejmë njëri-tjetrin dhe ndihemi të barabartë. Në përvojën time të gjatë më ka rastisur të komunikojmë me gazetarë, pikërisht edhe në KMSh, qëllimi është që të bëhemi bashkë dhe mos të dallojmë nga njëri-tjetri”, shtoi Rexhepi.
