Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mbajtur seancë dëgjimore publike lidhur me një kontest pronësor që ka të bëjë me një parcelë në qendër të kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.
Rasti ka të bëjë me kërkesën e parashtruar nga trashëgimtaret e një objekti të shkatërruar gjatë luftës dhe më vonë të rrënuar nga Komuna e Prishtinës, me pretendime për shkelje të të drejtës në pronë dhe diskriminim.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, tha se objekti i shqyrtimit është kushtetutshmëria e aktgjykimeve të Gjykatës Supreme dhe vlerësimi i pretendimeve të parashtruara nga kërkueset.
Sipas tij, thelbi i çështjes është nëse refuzimi për regjistrim të pronës në regjistrin kadastral përbën shkelje të së drejtës pronësore dhe të neneve 7, 23, 24 dhe 27 të Kushtetutës së Kosovës.
“Objekti i kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të gjykatës supreme dhe pretendimeve të parashtruara të parashtrueseve të kërkesës. Parashtrueset e kërkesës pretendojnë se atyre u janë cenuar të drejtat pronësore për shkak të refuzimit që kërkesa e tyre të regjistrohet në regjistrin publik kadastral, në parcelën ku ka ekzistuar objekti kontestues. Objekti i banimit në fjalë ka qenë i vendosur në Prishtinë. Sipas parashtruesve të kërkesës, objekti është dëmtuar rëndë dhe djegur si pasojë e luftës dhe më pas i njëjti është rrënuar nga Komuna e Prishtinës dhe, sipas pretendimeve të tyre, parashtruesit kanë pasur të drejtën e pronësisë në bazë të Komisionit Kosovar të Pronës. Kërkesa ka të bëjë me vlerësimin nëse refuzimi i kërkesës nga autoriteti përkatës për regjistrim përbën shkelje të së drejtës në pronë, si dhe pretendimet për shkelje të neneve 7, 23, 24 dhe 27 të Kushtetutës së Kosovës,” tha ai.
Kërkesa është parashtruar nga Afërdita Nura–Lama, Eufrozina Nura, Dijana Nura–Sahatçiu dhe Servete Nura, të cilat pretendojnë se u është mohuar e drejta e pronësisë dhe janë diskriminuar si gra trashëgimtare.
Afërdita Nura–Lama, gjatë fjalës së saj para gjykatës, tha se pasuria e tyre është zvarritur në institucione për shkak se të gjitha trashëgimtaret janë gra.
Ajo theksoi se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit nuk dhanë arsye të qarta në aktgjykimet e tyre, ndërsa në mënyrë të njëanshme është lejuar rindërtimi vetëm i shtëpisë së Melihate Nura.
“Gjatë luftës shtëpia u dëmtua rëndë. Besim Nura, djali i vetëm në Mitrovicë, pas vitit 1999 njihet e drejta e pronës nga gjykata komunale, por nuk arrihet të regjistrohet. Me dashje apo pa dashje, por me veprimet, një pas një shkelet e drejta e Melihate Nura për pronësi të gjithë shtëpisë. Provat janë rinovuar dhe rindërtuar vetëm për shtëpinë e Melihate Nura. Neni 24 i Kushtetutës është i thyer. Kryetari i Komunës vjen me vendim, por tani është bërë pa njoftim. Komisioni i kërkesave grupore vjen me vendim… me sugjerim të Komunës pa informim të pronarëve, Komuna bën rrënimin e objektit. Gjykata Themelore nuk e përmendi arsyet dhe pa prezencën e të paditurës janë të pabazuara. Gjykata e Apelit më 13.03.2023 dhe Supreme në 2023 refuzuan si të pabazuara ankesat e parashtrueses. Pa informim, Komuna ka bërë rrënimin e objektit. Pronares iu mohua e drejta e paraparë për pronësi. Melihate Deva Nura iu cenua dinjiteti, diskriminimi ndër vite ia cenoi dinjitetin. A ju kujton gjithë kjo zvarritje kohën e sulltanatit?”,
Rina Govori, zyrtare e lartë ligjore nga Komuna e Prishtinës, tha se vendimi për rrënim ishte marrë për shkak të rrezikshmërisë që objekti paraqiste për qytetarët. “Komuna ka njoftuar palën paditëse se objekti nuk ekziston dhe nuk mund të identifikohej njësia për regjistrim”, tha ajo.
Nadir Shyqeriu nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dha sqarim për mosregjistrimin e pronës dhe mungesën e mundësisë për ta identifikuar objektin në terren, duke theksuar se objekti ishte i rrënuar në vitin 2018.
“Regjistrimi i objekteve fillimisht bëhet përmes identifikimit në terren. Nga terreni është identifikuar se ajo njësi nuk ekziston. Kërkesa kryesore e ligjit është që të bëhet identifikimi. Kjo nuk ka qenë e mundur të bëhet për shkak se objekti ka qenë i rrënuar në atë kohë, po flasim për vitin 2018. Mbi këtë bazë kemi refuzuar kërkesën e palës sepse nuk mund të identifikohet një objekt inekzistent”, tha ai.
Veton Demi nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës tha se ishte vendosur që Melihate Nura të njihej si pronare.
“Për pronën, më 2007 është pranuar kërkesa për të drejtën e pronësisë. Pas pranimit të kërkesës, zyrtarët e kanë vizituar pronën, por në pronë nuk është gjetur askush dhe prona është gjetur si banesë e dëmtuar. Pas shqyrtimit, komisioni merr vendimin të aprovohet dhe Melihate Nura është pronare dhe gjithashtu ishte pronare në ditën e rrënimit”, tha ai.
Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë vazhduar me pyetjet e tyre për palët.
Nga gjykata u bë e ditur që vendimi për këtë çështje do të bëhet me shkrim për palët.
