Ministri në detyrë, Faton Peci, i pyetur për akuzat e ngritura ndaj tij nga deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka deklaruar se ky i fundit ka bërë shpifje ndaj tij dhe se duhet të përfundojë në burg, e jo të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Peci bëri të ditur se ka dorëzuar prova materiale në Prokurori që, sipas tij, dëshmojnë se personi në fjalë ka kryer vepra penale.
“Unë e di që ai që ka bërë një fyerje të tillë është konsumues i katër veprave penale, dhe për këtë kam deponuar në Prokurori dëshmi me prova materiale, përfshirë mesazhe SMS, si dhe dëshmitarë që tregojnë se ai ka tentuar gjatë procesit zgjedhor të inskenojë kinse dhënie mbështetje për sektorin e bujqësisë në këmbim të ryshfetit. Një gjë është e sigurt – ai person do të përfundojë pas grilave. Ndoshta ai e ndien thellë se atje do të përfundojë, prandaj edhe bën deklarata të tilla.”
“Brenda 24 orëve, dhe për disa pretendime të fundit gjatë kësaj jave, do të jap të gjitha shpjegimet dhe do t’i hedh poshtë e demantoj rëndë, ashtu siç e kam bërë gjatë gjithë kohës në mënyrë të vazhdueshme.”
Ndërkohë, edhe deputeti Paris Guri ka shkruar në një postim në Facebook se Faton Peci, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk duhet të jetë në sallën e Kuvendit të Kosovës, por në burg.