Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Hajvalia” niset për Poreç të Kroacisë për të përfaqësuar Kosovën
Hajvali, 6 maj 2025 – Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Hajvalia” sonte është nisur drejt qytetit Poreç të Kroacisë, ku do të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar folklorik, duke përfaqësuar Kosovën me krenari përmes këngëve dhe valleve tradicionale shqiptare.
Në këtë aktivitet kulturor, që mbledh ansamble nga vende të ndryshme të botës, “Hajvalia” do të prezantojë trashëgiminë tonë shpirtërore dhe kulturore me një program të pasur që përfshin valle popullore nga trevat shqiptare dhe interpretime të këngëve karakteristike të folklorit tonë.
Para nisjes, udhëheqësit e ansamblit theksuan rëndësinë e pjesëmarrjes në ngjarje të tilla për promovimin e identitetit kombëtar dhe forcimin e lidhjeve kulturore ndërkombëtare. Ata falënderuan përkrahësit dhe institucionet që mundësuan këtë udhëtim dhe shprehën bindjen se “Hajvalia” do të jetë një ambasador i denjë i kulturës së Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Festivali në Poreç do të zgjasë disa ditë dhe pritet të mbledhë mijëra vizitorë e pjesëmarrës nga Evropa dhe më gjerë.
