Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Fushë Kosovë, pronarë laboratorësh të analizave.
Në një njoftim për media, policia ka bërë me dije se dyshohet që në këto laboratorë, kryheshin analiza pa praninë e personelit të licensuar.
“Hetimet kanë filluar pas pranimit të informatave relevante që tregonin për zhvillimin e veprimtarive të paligjshme në këto subjekte shëndetësore, përfshirë kryerjen e analizave pa praninë e personelit të licencuar sipas kërkesave ligjore. Në kuadër të hetimeve janë aplikuar edhe masa të veçanta hetimore, të cilat kanë mundësuar mbledhjen e provave materiale që mbështesin dyshimet fillestare.
Gjatë operacionit të kontrollit në terren, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, janë konstatuar një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, që kanë rezultuar me mbylljen e funksionimit të aktivitetit të këtyre laboratorëve”– thuhet në njoftim.
Pronarët e dy laboratorëve janë ndaluar me urdhër të prokurorisë.
“Në vendngjarje janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumentacion i ndryshëm, një vulë dhe materiale të tjera relevante për hetim. Po ashtu, dy persona ( pronarë të dy laboratorëve) janë arrestuar dhe ndaj tyre është shqiptuar masa e ndalimit me urdhër të Prokurorisë kompetente”– thuhet tutje.