Organizata e Veteranëve të Luftës, Shoqatës së Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve reaguan përsëri për vizitën e paralajmëruar në Kosovë të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
Organizata e dala nga lufta vlerësuan se vizita e saj është e papranueshme dhe fyerje e rëndë ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e këtij vendi.
“E paralajmëruar të mbahet nën një perde të trashë të fshehtësisë, pa praninë e qytetarëve dhe kamerave, kjo vizitë nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë apo transparencë, përkundrazi, është përpjekje për të ikur nga llogaridhënia dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike”, thuhet në reagimin e Organizatave të dala nga lufta.
Më tej në reagim theksohet se kjo qasje arrogante dhe fyese s’është tjetër veçse vazhdim i padrejtësisë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë.
“E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si “autoritet drejtësie”, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër! Ne, OVL, SHIL dhe SHFD, ritheksojmë kundërshtimin tonë të plotë dhe të palëkundur ndaj kësaj vizite. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade, dhe i ftojmë të gjithë qytetarët, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura, të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe sakrificës sonë të përbashkët”, thuhet në reagimin e organizatave të dala nga lufta.