Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se po shqyrton mundësinë për të udhëtuar në Stamboll, ku pritet të zhvillohet një takim historik mes presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, të enjten.
Të dy liderët kanë rënë dakord për një përballje të drejtpërdrejtë, dhe kjo ka shtyrë Trumpin të mendojë për një udhëtim në Turqi, me synimin për të kontribuar në përpjekjet për paqe.
“Po mendoja të fluturoja atje. Ekziston një mundësi nëse mendoj se gjërat mund të ndodhin. Duhet ta përfundojmë”, deklaroi Trump, duke nënvizuar rëndësinë e momentit.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu përkushtimin e administratës së tij në ndaljen e dhunës: “Administrata amerikane është duke punuar shumë që të shohin nëse mund të ndalet gjakderdhja.”
Ai shprehu optimizëm për një hap të mundshëm drejt paqes, duke thënë se Rusia mund të pranojë një armëpushim 30-ditor në Ukrainë.