Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku priti ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde.
LDK-ja bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë mbi krizën institucionale dhe siç thuhet në njoftim, ndikimin e saj në funksionimin e rregullt të institucioneve demokratike.
Në këtë takim është folur edhe mbi propozimin e LDK-së për qeveri tranzicionale.
“Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Rohde mbi propozimin e LDK-së për themelimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit, si një zgjidhje e përkohshme, por e domosdoshme për të tejkaluar ngërçin aktual dhe për të kthyer funksionalitetin e shtetit. Në këtë kontekst, kryetari Abdixhiku ritheksoi qëndrimin e LDK-së se bllokada politike dhe institucionale është e papranueshme, duke nënvizuar se një situatë e tillë cenon drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve dhe pengon rrjedhën normale të proceseve shtetërore si dhe zhvillimin institucional të vendit”.
Gjatë këtij takimi kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës, veçanërisht në proceset integruese, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe u rikonfirmua bashkëpunimi i ndërsjellë në mes të dyja vendeve dhe përkushtimi drejt avancimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi”, thuhet në njoftimin e LDK-së.