Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj ndalimit të shërbimeve të mbledhjes së mbeturinave nga Ndërmarrja “Pastrimi”, duke e quajtur këtë veprim një sabotim politik të organizuar, shkruan Ekonomia Online.
Rama ka theksuar se, megjithë mbështetje financiare prej mbi 16 milionë eurosh për këtë kompani, menaxhmenti ka keqpërdorur fondet publike dhe ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme.
Kryetari i Prishtinës ka bërë të ditur se Komuna ka paguar mbi 11 milionë euro për detyrimet kontraktuale, ka investuar 1.4 milionë euro për kamionë të rinj dhe ka mbështetur me 400,000 euro për subvencione. Sidoqoftë, ai ka theksuar se menaxhmenti i “Pastrimi”-t ka keqpërdorur këto mjete për rritje të pagave për udhëheqësit dhe punësime politike.
Për më tepër, Rama ka sqaruar se Komuna e Prishtinës ka ofruar ndihmë të mëtejshme për mbështetje financiare, përfshirë një seancë të jashtëzakonshme për subvencionimin e pagave, e cila dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës.
Në lidhje me pretendimet e menaxhmentit të “Pastrimi”-t për borxhe të papaguara nga Komuna, Rama ka mohuar këto akuzata, duke theksuar se Komuna nuk ka asnjë borxh ndaj kompanisë.
Për të përballuar situatën, Kryeqyteti ka vendosur të përdorë mekanizma alternativë për të filluar menjëherë largimin e mbeturinave, duke siguruar qytetarët se sabotimi nuk do të kalojë dhe se po shqyrtohen mundësitë ligjore për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate.