Numri i njerëzve që përballen me “nivele të larta të pasigurisë ushqimore”, është rritur për të gjashtën herë radhazi si shkak i shkurtimeve në ndihmat humanitare, konflikteve, ndryshimeve klimatike e goditjeve ekonomike.
Sipas raportit më të fundit të Global Report on Food Crises (GRFC), The Guardian shkruan se pasiguria ushqimore vazhdon të rritet me ritëm alarmues, me pothuajse 300 milionë njerëz që rrezikojnë të vdesin nga uria.
Në artikull thuhet se përshkallëzimi i konflikteve, shkurtimet e ndihmave, bashkë me ndryshimet klimatike dhe ekonimike, vetëm vitin e kaluar e kanë shtuar numrin e njerëzve që rrezikojnë vdekjen nga uria për 13.7 milionë.
Është viti i gjashtë radhazi që numri i njerëzve që përballen me “nivela të larta të pasigurisë ushqimore akute është rritur, duke arritur në 295.3 milionë,” thuhet në raportin më të fundit nga Global Report on Food Crises (GRFC).
Dihet se ky numër përfaqëson pothuajse një të katërtën – 22.6% – të popullsisë së 53 vendeve të analizuara nga ekspertët e GRFC. Ndërsa është bërë e ditur se më shumë se 95% e këtyre rasteve ndodhen në Rripin e Gazës ose Sudan, megjithatë Haiti, Mali dhe Sudani i Jugut gjithashtu janë vende që përballen me mungesë ushqimi.
Sipas klasifikimit të Fazave të Sigurisë Ushqimore të mbështetur nga OKB (IPC), njerëzit që përballen me mungesën më ekstreme të ushqimit – janë më shumë se dyfishuar gjatë vitit të kaluar. Me kategorinë – e përshkruar si “katastrofë” që karakterizohet me uri, vdekje, varfëri ekstreme dhe shkallë të larta të kequshqyerjes akute.
Vetëm në Sudan për shkak të luftës civile, janë më shumë se 24 milionë njerëz që përballen me uri akute. Ndërkohë, sipas IPC gjendja është përkeqësuar edhe në Rripin e Gazës, ku ekspertët vitin e kaluar thanë se gjysma e popullsisë parashikohej të përjetonte skenarin e “katastrofës”. E këto paralajmërime janë konfirmuar të hënën, kur raporti më i fundit i IPC deklaroi se popullsia e Gazës prej rreth 2.1 milionë palestinezësh është në “rrezik kritik” nga uria, për shkak të bllokadës izraelite mbi ndihmën humanitare.
Ekspertët e GRFC kanë identifikuar përkeqësim të sigurisë ushqimore në 19 vende, kryesisht për shkak të konflikteve si në Mianmar, Nigeri dhe Republikën Demokratike të Kongos. Kjo pasiguri, sipas tyre, përkeqësohet edhe nga kriza klimatike, me thatësira në rritje të pritshme në pjesë të Etiopisë, Kenias dhe Somalisë, si dhe në Afganistan e Pakistan.
Raportohet se në këtë situatë të rëndë, ka pasur ndikim edhe ndërprerja e papritur e financimeve këtë vit – veçanërisht nga USAID, duke lënë më shumë se 14 milionë fëmijë në shtete si Sudani, Jemein dhe Haiti, të ekspozuar ndaj kequshqyerjes së rëndë dhe vdekjes.