Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryetarit, raporton Ekonomia Online.
Ajo kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se kjo parti nuk është e interesuar për konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.
Sipas Bajramit, propozimi i Avni Deharit për mbledhje javore ishte një përpjekje për ta zvarritur procesin dhe jo për ta zgjidhur krizën institucionale.
“Ky propozim i Deharit, në fakt, ishte kërkesë për të gjitha partitë politike që, nëse pajtohemi, të mblidhemi jo çdo 48 orë, por të mblidhemi një herë në javë. Ne këtë e shohim si indikacion shtesë që Lëvizja Vetëvendosje nuk është absolutisht e interesuar për ta bërë konstituimin e Kuvendit. Ata mungesën e institucioneve dhe të qeverisë e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë të deputetëve – vetëm kjo është problemi i tyre. U refuzua një kërkesë e tillë. U thashë që mund të propozoni brenda 48 orëve edhe 47 kandidatë të tjerë, në mënyrë që të kalojmë në fazën tjetër”, theksoi Bajrami.
Ajo shtoi se për të 17-ën herë nuk është bërë asnjë hap përpara dhe se edhe takimi me presidenten Osmani nuk solli zgjidhje.
“Është fatkeqësi që për të 17-ën herë nuk arritëm të lëvizim as edhe një hap përpara. Është e vështirë të parashikohet rruga e zgjidhjes, sepse edhe takimi me presidenten Osmani nuk dha rezultat.”