Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka bërë të ditur se me homologun e tij francez, Sebastien Lecornu, kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim dhe modernizimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Vengu tha se po ashtu, me iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, janë hedhur disa hapa jetësor në fushën e sigurisë energjetike, turizmit dhe inovacionit.
“Me iniciativën dhe kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez u hodhën disa hapa jetësor në fushën e sigurisë energjetike, turizmit, inovacionit, ku dhe së bashku me homologun dhe mikun Sébastien Lecornu firmosëm marrëveshjen për bashkëpunim dhe modernizimin e kapaciteteve të Forcat e Armatosura të Shqipërisë”, shkroi Vengu
Tutje, ai u shpreh se vizita e Macronit në Shqipëri, në dy ditë të mbushura me marrëveshje transformuese për ekonominë dhe sigurinë e vendit, sinjalizon qasjen e komunitetit evropian ndaj Shqipërisë, si një partner i besueshëm dhe pikë orientimi në rajon.