Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njoftoi për takimin me Shefen e Diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, me të cilin tha të ketë biseduar për çështjet politike në vend dhe atë të jashtme.
“PDK mbetet e përkushtuar ndaj vlerave perëndimore, bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe avancimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha Krasniqi.
Postimi i plotë:
Sonte, pata kënaqësinë ta takoj znj. Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, gjatë vizitës së saj në Kosovë.
Diskutuam për zhvillimet politike në vend dhe për nevojën për stabilitet institucional dhe përparim të Kosovës drejt integrimit evropian.
Znj. Kallas e njoftova se PDK ka dhënë dhe mbetet gjithmonë e gatshme të japë kontributin e saj në zgjidhjen e krizës aktuale politike, si dhe në mbrojtjen e interesit qytetar dhe shtetëror.
Në takim kërkova edhe angazhimin e saj për heqjen sa më të shpejtë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, si një shenjë konkrete për të ardhmen evropiane të vendit tonë dhe për avancimin e marrëdhënieve Kosovë – BE.
PDK mbetet e përkushtuar ndaj vlerave perëndimore, bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe avancimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Mirënjohës për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të znj. Kallas për vendin tonë. 🇽🇰🇪🇺