Sot u prezantua aplikacioni “Be Here Then”, një platformë inovative që sjell historinë e Çarshisë së Vjetër përmes tregimeve të gjalla, realitetit virtual dhe fotografive historike, raporton Ekonomia Online.
Ylva Sahlstrand nga Ambasada e Suedisë tha se ky projekt ka për qëllim të afrohet e kaluara me brezin e sotëm përmes teknologjisë.
“Ne në Ambasadën e Suedisë po punojmë për bashkëpunimin zhvillimor, por në të vërtetë përpiqemi ta bashkojmë këtë bashkëpunim për reforma me Kosovën me çështjet politike dhe zhvillimin në përgjithësi kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Suedinë. Ajo që do të shohim sot këtu është një rezultat i një projekti interesant që kemi mbështetur, ku Suedia, përmes Universitetit të Lundit, ka punuar së bashku me Anibar-in, UN-Habitat-in, Ministrinë e Kulturës dhe disa akterë të tjerë në sektorin kulturor”, ka thënë ajo.
Qëllimi i këtij aplikacioni është të rigjallërohen rrëfimet e Çarshisë së Vjetër dhe t’i sillen më afër gjeneratës së sotme përmes teknologjisë së realitetit virtual dhe fotografive historike.
Ngjarja u pasurua me muzikë, ushqim tradicional dhe një ecje simbolike nëpër gjurmët e historisë së qytetit.