Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka reaguar pas raportimeve për një incident të vogël në Mitrovicën e Veriut, duke dënuar përpjekjet e Petar Petkoviqit për të manipuluar opinionin publik përmes keqpërdorimit të maturantëve në këtë pjesë të vendit.
Islami u shpreh se përpjekja e dështuar për ta shndërruar një situatë të zakonshme në krizë të sigurisë është një akt i papranueshëm dhe i rrezikshëm për stabilitetin në veri të Kosovës.
“Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, z. Veton Elshani, e ka sqaruar qartë se bëhej fjalë për një incident minor, pa pasoja dhe pa ndonjë rrezik real për sigurinë publike. Për fat të keq, një ngjarje e tejkaluar pa probleme po fryhet artificialisht për të ndërtuar një narrativë të frikshme, e cila nuk përkon me realitetin në terren,” u shpreh Islami.
Ai theksoi se politikanët si Petar Petkoviq duhet të ndalojnë menjëherë përdorimin e të rinjve për qëllime politike dhe propagandistike, duke e quajtur këtë një akt të papërgjegjshëm dhe manipulativ.
“Thirrja ime për Petkoviqin është e qartë: Mos i përdorni fëmijët dhe incidentet e vogla për të prodhuar krizë të rreme. Paqja dhe siguria në veri janë prioritet, dhe ato nuk duhet të sakrifikohen për retorikë politike,” përfundoi eksperti i sigurisë.