Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë është bërë administrimi i provave materiale, në rastin e njohur si “400 kg kokainë”.
Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, po akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori i rastit, Valdet Gashi tha se përveç provave, dëshmive të dëshmitarëve, aktakuza mbështetet edhe në prova materiale, të cilat konfirmojnë dhe vërtetojnë veprimet inkriminuese të të pandehurve.
Prokurori Gashi propozoi që të administrohen provat sipas aktakuzës, siç janë raportet e ekzaminimit të telefonit të të akuzuarve Izet Sheqiri, Kadri Brahimi e Faton Vrajolli, raporti i ekspertimit nga Agjencia e Forenzikës, për ekzaminim të dy armëve, e të tjera.
Sa i përket raporteve të vëzhgimit (video-incizimeve), të cilat prokurori i propozoi për administrim si prova, kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, tha se për çështjet që kanë të bëjnë me fotografi dhe video-incizime duhet të prezantohen edhe në mënyrë vizuale, që edhe publiku të njoftohet me provat që po administrohen, në mënyrë që të shfaqet një gjykim i drejtë dhe i paanshëm.
Po ashtu, prokurori kërkoi që të administrohen edhe provat nga zbatimi i masave të fshehta për të akuzuarin Kadri Sheqiri.
Gashi propozoi edhe provat e zbatimit të masave të fshehta për të akuzuarin Hyzri Sheqiri, por të cilat i kundërshtoi mbrojtësi i të akuzuari Izet Sheqiri, avokatit Florent Latifaj.
Sipas tij, të njëjtat as nuk kanë mundur t’i kundërshtojnë e as ta ballafaqojnë të akuzuarin, për shkak se ka arritur marrëveshje për pranim fajësie dhe se nuk mund të përdoren si provë në rastin konkret.
Lidhur me këtë, prokurori Gashi tha se e njëjta ndërlidhet me të akuzuarin Kadri Sheqiri dhe rastin në tërësi, andaj konsideron se është relevante që të administrohet si provë.
Ndërsa, sa i përket propozimit të avokatit Latifaj që Prokuoria t’ia sigurojë DVR-in e marrë nga kompania “MC Food”, vetë Latifaj tha se kanë pranuar vetëm video-incizimet e datës 15, 16 dhe 17 maj 2021, të cilat i kanë marrë nga mbrojtja e mëparshme e të akuzuarit Izet Sheqiri.
Latifaj tha se kërkesa e tyre ka qenë të merren komplet të dhënat e DVR-it të marrë nga kompania ose së paku për një periudhë 6-mujore ose njëvjeçare, pasi që në këtë mënyrë mbrojtja do të mund të nxjerrë të dhënat lidhur me atë nëse i akuzuari ka shkuar çdo të shtunë- ditë vikendi në punë apo vetëm ditën e shtunë kur po supozohet se ka qenë në dijeni për arritjen e lëndëve narkotike.
Lidhur me kopjimin e DVR-it, gjykatësi Arrni njoftoi palët se kjo do të trajtohet jashtë seancës nga trupi gjykues dhe më pas do të njoftohen palët.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.
Bashkë me pesë të akuzuarit, në këtë rast akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre ishte veçuar.
Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.
Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramë kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove.