Data e zgjedhjeve lokale do të caktohet gjatë ditëve në vijim, ka njoftuar Zyra e Presidentes, raporton Ekonomia Online.
Në njoftim thuhet se gjatë takimit të sotëm të presidentes Vjosa Osmani me përfaqësuesit e subjekteve politike për caktimin e datës së zgjedhjeve, është folur mbi qëndrimet dhe propozimet e tyre për këtë datë.
“Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”, thuhet në njoftim.
Haxhiu: Propozova që zgjedhjet lokale dhe nacionale të mbahen përnjëherësh
Përfaqësuesja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu në takimin me presidenten Vjosa Osmanin në konsultim për datën e zgjedhjeve lokale, tha se qëndrimi i Vetëvendosjes është që është jashtëzakonisht e rëndësishme që zgjedhjet lokale të mbahen sa më parë, raporton Ekonomia Online.
“Sa më shpejt që mbahen zgjedhjet lokale aq është më mirë. Nëse nesër shpallen zgjedhjet
mund të mbahen më 5 tetor, ose më 12 tetor, ose 19 tetor. Këto tri data u përmendën më së shumti”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se diskutuan edhe për idenë që zgjedhjet nacionale të mbahen me ato lokale.
“Ideja ishte e imja. Unë isha shumë e vullnetshme që të diskutojmë edhe për këtë. Por duhet konstituim dhe shpërndarje e Kuvendit e që për këtë duhet marrëveshje politike”, tha Haxhiu.
Krasniqi: PDK preferon 12 ose 19 tetorin për zgjedhje lokale
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se PDK-ja preferon 12 ose 19 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit me presidenten Osmani, ai ka bërë me dije se PDK nuk kundërshton as datat tjera.
“Unë e njoftova presidenten dhe të pranishmit se të gjitha datat janë të pranueshme. Por preferenca ime ishte 12 ose 19 tetor. Nuk ka shumë dallime te pjesa e datave të partive”, ka thënë Krasniqi.
Haradinaj propozon 12 tetorin për zgjedhjet lokale

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka propozuar 12 tetorin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, në takim me presidenten Vjosa Osmani dhe subjektet tjera politike, transmeton Ekonomia Online.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, teksa ka shkruar se shpreson që presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të përfillë këtë propozim.
“Sot, në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve komunale, propozova që këto zgjedhje të mbahen më 12 Tetor 2025. Kjo datë është plotësisht në përputhje me afatet ligjore. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të përfillë këtë propozim”, ka shkruar ai.


