Kosova vazhdon të ruajë një stabilitet të qëndrueshëm demografik, i karakterizuar nga një raport pozitiv mes lindjeve dhe vdekjeve. Sipas të dhënave të vitit 2024, për çdo tre lindje është regjistruar afërsisht vetëm një vdekje.
Sipas statistikave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2024 janë regjistruar gjithsej 31 mijë e 717 lindje. 21 mijë e 487 lindje kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, ndërsa 10 mijë e 230 lindje janë regjistruar jashtë vendit.
Numri më të madh të lindjeve i përket grupmoshës 25-34 vjeç, me grupmoshën 25-29 vjeç që përbën 32.3 për qind të lindjeve, dhe grupmoshën 30-34 vjeç që mbulon 30.6 për qind.
Sipas raportit të lindjeve për vitin 2024, nënat e moshës 20-24 vjeç kontribuuan me 16 për qind, kurse grupmoshat tjera përbëjnë pjesën e mbetur prej 21.1 për qind. Mosha mesatare e një gruaje që ka lindur në vitin 2024 në Kosovë është 29 vjeç.
Prishtina është komuna ku kanë ndodhur më së shumti lindje – 10 mijë e 746 raste, ose 33.9 për qind e të gjitha lindjeve që kanë ndodhur në Kosovë.
Prizreni mban vendin e dytë me 2 mijë e 400 lindje apo 7.6 për qind, pasuar nga Mitrovica me 1 mijë e 623 raste apo 5.1 për qind dhe Ferizaj me 1 mijë e 530 lindje apo 4.8 për qubd.
Emri më i përdorur për vajza ishte Dua, me 384 raste, ndërsa për djem dominoi emri Troi, me 291 raste, duke shpërfaqur tendenca ‘moderne’ në përzgjedhjen e emrave.
Vdekjet
Në të njëjtin vit, janë regjistruar gjithsej 11 mijë e 810 vdekje, nga të cilat 10 mijë e137 ndodhën brenda Kosovës, ndërsa 1 mijë e 673 raste janë raportuar nga diaspora.
Nga vdekjet e ndodhura brenda vendit, burrat përbënin shumicën me 5 mijë e 320 raste apo 52.5 për qind, ndërsa gratë 4 mijë e 817 raste apo 47.5 për qind. Mosha mesatare e personave të vdekur ishte 72 vjeç – për burrat 70 vjeç, ndërsa për gratë 74 vjeç.
Komuna me numrin më të lartë të vdekjeve ishte Prishtina, me 2 mijë e 795 raste apo 23.7 për qind , e ndjekur nga Prizreni me 1,032 raste apo 8.7 për qind dhe Peja me 712 raste (6.0 për qind).
Ndërkohë, në mesin e statistikave shqetësuese, vdekjet e foshnjave gjatë vitit 2024 janë raportuar në 126 raste (1.2 për qinde të gjitha vdekjeve), me 70 meshkuj (55.6 për qind) dhe 56 femra (44.4 për qind).