Kompania “KESCO” bëri të ditur se është njoftuar se nga nesër e në ditët në vijim do të ketë mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe kjo në rastin më ekstrem nënkupton që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët do të duhet të mbulohet përmes importit.
“Pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare, KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem”, thuhte në njoftimin për media të KESCO-s.
“Megjithatë, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar. Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike. Çdo kilovat-orë e kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe në zvogëlimin e kostos së përgjithshme, që përndryshe do të rëndonte mbi të gjithë ne”, thuhte në këtë njoftim.