Përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit po shihet nga ekspertët e sigurisë si një rrezik i shtuar për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.
Në një kohë kur vëmendja e fuqive të mëdha ndërkombëtare është përqendruar në Lindjen e Mesme, ka shqetësime serioze se Serbia mund ta shfrytëzojë këtë situatë për të avancuar agjendat e saj në veriun e Kosovës.
Profesori universitar i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, në intervistë për Ekonomia Online, tha se përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme dhe përfshirja e shteteve të tjera, përfshirë Iranin, mund të shkaktojë pasoja serioze në rajon.
“Uroj që të mos përshkallëzohet më tepër dhe të mos implikohen edhe shtete të tjera. Në qoftë se implikohet ndonjë shtet tjetër i regjionit, atëherë sinqerisht është për t’u shqetësuar seriozisht, meqë bëhet fjalë për një zonë të ndjeshme dhe përfshirjet e shteteve problematike, siç është Irani dhe interferimet dhe ndikimi i kësaj lufte në pjesë të tjera të regjionit dhe më gjerë do të jetë evident”, tha ai.
Çollaku tha se përqendrimi i SHBA-së dhe aleatëve të saj në Lindjen e Mesme do të shkaktonte zbehje të vëmendjes ndaj Ballkanit Perëndimor, duke e bërë më të ekspozuar Kosovën ndaj rreziqeve të mundshme nga Serbia.
“Ballkani Perëndimor në veçanti është një zonë po ashtu e ndjeshme, ku zgjerimi i konfliktit atje domosdoshmërisht do të ketë ndikim, jo vetëm në aspektin ekonomik. Tashmë kanë filluar shenjat e para, por edhe në spektrin ushtarak dhe gjeopolitik për faktin që vëmendja e shtuar e SHBA-së të interesit madhor strategjik do të pakësojë vëmendjen dhe fokusin në këtë pjesë të Ballkanit… Prandaj, preokupimi i SHBA-së dhe miqve të tjerë, përkatësisht aleatëve të tjerë të SHBA-së me Izraelin dhe Lindjen e Mesme, me parandalimin e zgjerimit të konfliktit nga aspekti i implikimit të shteteve arabe dhe të tjera, të cilat mund të përfshihen kundër Izraelit, do të kishte për pasojë një përshkallëzim të situatës te ne dhe uroj që kjo të mos ndodhë”, tha Çollaku.
Ai shtoi se Serbia mund ta shfrytëzojë një gjendje të tillë globale për të ndërmarrë një ofensivë të shpejtë ushtarake në veri të Kosovës.
“Nëse zgjat lufta në Lindjen e Mesme, Serbia do ta ketë pak më lehtë dhe Vuçiq mund të ndodhë, megjithse paralajmërimet mund të jenë edhe luftë psikologjike dhe një propagandë e ashpër, që edhe mund të jetësohet në praktikë si një operacion po ashtu i fuqishëm dhe i shpejtë i Serbisë në veriun e Kosovës për të aneksuar veriun e Kosovës. Kosova nuk disponon as sistem raketor, as mjete të tjera mbrojtëse nga sulmet eventuale raketore që mund të vijnë nga Serbia”, tha ai.
Ndërsa, eksperti i sigurisë Drizan Shala tha për Ekonomia Online se konfrontimi në rritje mes Iranit dhe Izraelit pritet të ketë ndikime serioze edhe në territorin evropian, përfshirë Ballkanin.
“Tani fakti që lufta në Lindjen e Mesme është duke u formësuar në kuptimin e një konfrontimi të hapur mes shtetit të Izraelit dhe Iranit, do të kemi një ndryshim epokal politik në pjesën e Teheranit. Njëkohësisht impaktet janë të larta, sepse tanimë prapaskenat e Iranit mund të veprojnë, duke krijuar veprime terroriste në kontinentin evropian, ku edhe Kosova dhe Ballkani Perëndimor nuk mund të jenë imun”, tha ai.
Shala tha se pretendimet e Serbisë për të shfrytëzuar situatat globale për qëllime të veta gjeostrategjike janë të lidhura me zhvillimet në Lindjen e Mesme.
“Çështja e pretendimeve të qarqeve të shtetit të Serbisë për të krijuar rikthimin e tyre në një etapë të ndryshimeve gjeopolitike në favorin e Serbisë, mendoj se çështja veriore dhe çështjet e tjera që cenojnë sigurinë kolektive të Ballkanit Perëndimor janë të varura në një zhvillim sekondar të atyre që janë duke ndodhur në Lindjen e Mesme”, tha ai.
Sipas Shalës, pavarësisht nga tensionet, Irani pritet ta humbasë përballjen me Izraelin dhe ndikimet në Ballkan do të jenë më shumë të karakterit indirekt ekonomik dhe politik.
“Por, assesi nuk mund të ketë ndonjë kuti të Pandorës, sepse është e konstatuar fakti që Irani do ta humbasë këtë konflikt me Izraelin dhe minimalisht do të mund të ndikojë ky konflikt në kontekstin e zhvillimeve politike, ekonomike dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, tha për EO, Shala.

