Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë iraniane ka deklaruar se do të ketë një “përgjigje të fortë” ndaj çdo sulmi të Shteteve të Bashkuara mbi objektet bërthamore të Iranit.
“Gjatë gjithë historisë sonë, ne jemi përballur me Amerikën shumë herë. Çdo herë që kanë tentuar të na afrohen, kanë marrë një përgjigje të fortë,” ka thënë gjenerali madhor Amir Hatami, përmes një deklarate publike të shpërndarë nga disa media shtetërore iraniane.
“Ne do të luftojmë; do të luftojmë për lumturi. Kemi dhënë shumë dëshmorë, por do të luftojmë me forcë dhe guxim. Duhet të jeni të sigurt për fuqinë tonë,” ka shtuar ai.
Gjenerali Hatami, një nga figurat më të larta ushtarake në Iran, është emëruar në këtë post më pak se një javë më parë, pasi Irani bëri riformatime në drejtimin ushtarak për të zëvendësuar pozicionet e mbetura bosh pas vrasjes së disa figurave të larta nga sulmet e fundit të Izraelit.
Izraeli godet me rreth 20 avionë luftarakë objektivat ushtarake në Iran, Teherani përgjigjet me një raketë
Izraeli ka ndërmarrë një valë sulmesh ndaj objektivave ushtarake në Iranin perëndimor dhe në kryeqytetin Teheran gjatë natës së kaluar, sipas një zyrtari të ushtrisë izraelite.
Rreth 20 avionë luftarakë morën pjesë në sulmet ajrore, duke shënjestruar infrastrukturë në qytetin perëndimor Kermanshah, e cila raportohet se përdorej për magazinimin dhe lëshimin e raketave, sistemet satelitore dhe instalime ushtarake të radarëve.
Sipas zyrtarit ushtarak izraelit, avionët luftarakë izraelitë goditën gjithashtu një sistem tokë-ajër në Teheran.
Një dron izraelit u rrëzua mbi territorin iranian, por “nuk ka rrezik për rrjedhje informacioni,” ka njoftuar Forca e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).
Ndërkohë, edhe Irani ka ndërmarrë një sulm ndaj Izraelit të hënën, duke lëshuar një raketë që u kap nga sistemet e mbrojtjes ajrore izraelite, sipas të dhënave të IDF-së.