Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari nuk pranoi që në prani të mediave të bisedojë me punëtorët e sigurimit të këtij institucioni shëndetësor, 260 sish, të cilëve u është ndërprerë kontrata, raporton Ekonomia Online.
“Gazetarët dhe kameramanët nuk ka nevojë të marrin pjesë në këtë takim. Është takim i brendshëm. Nuk ka nevojë për skenarë dhe skena! Gazetarët të dalin jashtë! Jap deklaratë pas takimit”, tha Hajdari.
Kërkesa e tij për largim të mediave nga takimi fillimisht u kundërshtua nga kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi si dhe nga një pjesë e punëtorëve, por më pas e kaluan në heshtje kërkesën e drejtuesit të QKUK-së.
Mediat e braktisën takimin.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, u vonua në këtë takim, me arsyetimin se kishte një takim zyrtar. Më parë i ftoi pesë përfaqësues të punëtorëve të sigurimit, por kur këta insistuan që ai të vijë në takim, u detyrua dhe erdhi të ballafaqohet me punëtorët e sigurimit.
Në pritje të u.d. të drejtorit të QKUK-së, punëtorët e sigurimit në komunikim me kryetarin e Sindikatës së sektorit privat Jusuf Azemi shprehën pakënaqësinë e tyre që nuk iu vazhduan kontratat dhe kanë mbetur në këtë situatë, duke shprehur dyshimet se ka keqpërdorime në kurriz të tyre.
Azemi, ndërkaq, tha se QKUK-ja nuk ka guxuar të mbetet pa sigurim dhe shtoi se për këtë dikush do të duhej të shkonte në burg.
