Zyra e ngarkuar për propagandë armiqësore kundër Kosovës, e ashtuquajtura zyre serbe për Kosovën, të cilën e udhëheq nacionalisti Petar Petkoviq, ka kumtuar se, “me urdhër të kryeministrit në mandat teknik, Albin Kurti, gjatë natës është dëbuar edhe një serb nga Kosova”. Siç thuhet, bëhet fjalë për Aleksandar S. (34) nga Brezovica, afër Shtërpcës, i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Banjë të Nishit.
Sipas kësaj zyre, Aleksandar S. është ndaluar dje pasdite në pikën kufitare në Elez Han, ndërsa po kthehej nga Maqedonia e Veriut në Kosovë, transmeton Paparaci.
“Gjatë natës edhe ai, përmes të njëjtit mekanizëm që Prishtina ka aplikuar dy javët e fundit, është dëbuar nga Kosova dhe aktualisht ndodhet në Serbi. Ai është polici i njëmbëdhjetë i Serbisë që dëbohet nga shtëpia e tij me “vendim të njëanshëm, joligjor dhe ilegjitim” të Albin Kurtit”, pretendohet në këtë propagandë.
Më tej theksohet se vazhdon politika e përndjekjes së policëve të Serbisë nga Kosova, të cilëve, sipas kësaj tyre, “në këtë mënyrë u shkelen të drejtat themelore të njeriut, të garantuara nga shumë konventa ndërkombëtare”, ndërkohë që nuk marrin asnjë mbrojtje nga misionet ndërkombëtare, të cilat “supozohet” të garantojnë respektimin e të drejtave të serbëve në Kosovë.
“Politika e terrorit, përndjekjes dhe hakmarrjes ndaj popullsisë serbe të Kosovës është boshti i politikës antiserbe të Albin Kurtit, i cili para syve të botës po zbaton një politikë të spastrimit etnik dhe ndërmerr hapa që çojnë në përshkallëzim, në vend që të angazhohet për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve”, përfundon kjo propagandë e radhës e zyrës së Petkoviqit./Paparaci.com