Kolegji Ndërkombëtar Universum organizoi ceremoninë solemne të diplomimit, duke shënuar një moment të rëndësishëm për studentët e nivelit bachelor dhe master. Në këtë ngjarje të veçantë u theksua roli i bashkëpunimeve ndërkombëtare në avancimin e qasjeve arsimore dhe ndërtimin e një komuniteti global të dijes, raporton Ekonomia Online.
Profesorë, studentë dhe mysafirë nga mbarë Europa morën pjesë në këtë festë të dijes, ku u nderua figura e Erasmusit si simbol i shkëmbimit akademik dhe moral evropian. U veçua fakti se kjo gjeneratë diplomon në një kohë të transformimeve të thella teknologjike, duke u cilësuar si “gjenerata e inteligjencës artificiale”.
Profesor i Shkencave Politike, Kolegji Universum, Valon Murati theksoi faktin se kjo gjeneratë diplomon në një kohë të transformimeve të thella teknologjike, duke u cilësuar si “gjenerata e inteligjencës artificiale”.
“Ky bashkëpunim po ndihmon që të sjellim praktika të reja dhe qasje bashkëkohore dhe krijon më shumë mundësi për studentët tanë që të jenë pjesë e një komuniteti global të informatave të dijes. Ne zotohemi se këtë bashkëpunim do ta çojmë edhe në një nivel më të lartë në vijim. Kemi pritur studentë dhe profesorë nga e gjithë Europa, duke u bërë kështu pjesë e shkëmbimit të dijes dhe praktikave më të mira të mësimdhënies. Emri i Erasmusit jo vetëm si program por edhe si figura e madhe morale e mesjetës – ai ishte evropiani i parë, shtetari i parë i dijes – dhe në një mënyrë, shtigjet e tij po i vazhdojnë studentët tanë dhe të gjithë ne. Sot po diplomon gjenerata e parë që mund të trajtohet si gjenerata e inteligjencës artificiale, e cila i ka hapur rrugë për ndryshime thelbësore në mënyrën se si do të projektohet sistemi arsimor i së nesërmes. Kemi bërë përpjekje që të përgatisim sa më shumë këtë gjeneratë për një botë që ka plot të papritura me ardhjen e inteligjencës artificiale. Për studentët fillon tani jeta pas universitetit, po mbyllim këtë me sukses edhe për profesorët tanë”, theksoi Murati.
Zëvendëspresidenti Uran Rraci e cilësoi këtë ditë si “fundin e një etape dhe fillimin e një jete të re për studentët”:
“Kjo ngjarje është shumë e veçantë sepse shënon përfundimin e një etape shumë të rëndësishme për ne, edhe pse për një pjesë të studentëve rrugëtimi akademik do të vazhdojë tutje, për një pjesë tjetër tregon përfundim formal akademik. Kjo udhë nuk do të jetë vetëm me shi, por me dashuri, miqësi që do të vijnë në jetë dhe në karrierë. Ja ku jemi sot, sot ju jeni të diplomuar, jeni vajza dhe djem, gra dhe burra që mbani me vete dhimbje, eksperiencë”, shtoi ai.
Ndërsa Dekanja Prof. Dr. Isabel Salvat theksoi rëndësinë e përgjegjësisë dhe vendimeve në një botë të paqëndrueshme, por të mbushur me mundësi:
“Sot është një moment arritjeje të thellë dhe festimi të merituar. Për ju që diplomoheni në nivelin bachelor, urime për ndërtimin e një themeli të fortë – një trampolinë e ndërtuar me përkushtim, këmbëngulje, net pa gjumë dhe rritje të thellë personale. Për ju që përfundoni studimet master, mirë se vini në një nivel tjetër: keni shndërruar atë themel në ekspertizë të vërtetë, të karakterizuar nga aftësi të mprehta, mendim kritik dhe pjekuri intelektuale. Le të ndalemi gjithashtu një moment për të falënderuar familjet dhe të dashurit tuaj. Mbështetja, inkurajimi dhe sakrificat e tyre kanë ndihmuar që ju të arrini deri këtu. Kjo është edhe festa e tyre. Tani qëndroni në prag të një fillimi të ri. E ardhmja qëndron përpara jush, e pasur me mundësi. Jam e bindur se do ta përballeni me entuziazëm për mundësitë që sjell dhe me një ndjenjë të fortë përgjegjësie për zgjedhjet që do të bëni. Jeta do të sjellë sfida dhe ndryshime. Disa nuk do të mund t’i kontrolloni, të tjerat po. Ato që mund t’i kontrolloni do të vijnë nga vendimet tuaja. Ato që nuk mund t’i parashikoni do të shfaqen papritur, si pasojë e një bote të paqëndrueshme, të pasigurt, komplekse dhe shpeshherë të keqpërdorur, në të cilën jetojmë sot”, deklaroi Salvat.