Në takimin e 269-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), u paraqit kërkesa e parë buxhetore për vitin 2026, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Sekretariatit, Sami Istrefi, theksoi se kërkesa prej mbi 27 milionë eurosh synon forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e efikasitetit në luftimin e krimit dhe transparencën në sistemin e drejtësisë.
“Sot, në vazhdën e obligimeve ligjore dhe vlerësimeve të hershme për vitin 2027-28, para këshillit paraqes kërkesat objektive strategjike 2026-2028 pranë këshillit. Me kërkesë buxhetore janë përfshirë tri objektiva strategjike sipas planit strategjik: forcimi i sundimit të ligjit, efikasiteti në luftimin e krimit, transparenca dhe qasja në drejtësi transparente, secila nga objektivat strategjike përfshirë edhe aktivitetin dhe treguesin sipas planit. Qëllimi i kërkesës buxhetore përmes kësaj kërkese pasqyrohen nevojat e sistemit prokurorial të planifikuar për vitin 2026 dhe vlerësimet e hershme për 2027-2028. Nevojat mbështeten në mandatin ligjor të Këshillit Prokurorial të Kosovës, planin strategjik 2025-2027, planet e punës si dhe kërkesat e prokurorive dhe njësive organizative.
Bazuar në këto dokumente, sfidat kryesore do të jenë mungesa e pozitave të nevojshme, mungesa për buxhetin për kategoritë e pagave dhe mëditjeve, mungesa e buxhetit për mallrat dhe shërbimet, si dhe mungesa në kategoritë në investimet kapitale. Pozitat e kërkuara shtesë për vitin 2026 janë 21 prokurorë dhe 179 pozita për staf administrativ: një prokuror në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, tre prokurorë në Prokurorinë e Apelit dhe të Speciale, 12 prokurorë në nivelet themelore, 46 bashkëpunëtorë profesionalë dhe 19 zyrtarë ligjorë, 12 pozita për Zyrën për Mbrojtje të Viktimave dhe 99 pozita të tjera administrative”, tha Istrefi.
Kërkesa përfshin 21 prokurorë të rinj dhe 179 pozita administrative, me theks të veçantë për mungesën e stafit dhe buxhetit për paga, mallra dhe investime kapitale.
“Numri i stafit 969 pozita, paga dhe mëditjet janë 13 milionë e 837 mijë euro, mallra dhe shërbime 3 milionë e 450 mijë, shpenzimet komunale 199 mijë, shpenzime kapitale 2 milionë e 134 mijë, në raport me buxhetin e lejuar që në total është 19 milionë e 621 mijë. Me kërkesën buxhetore që e adresojmë e që shkon 27 milionë e 429 mijë, për të mundur të funksionojë sistemi prokurorial i Kosovës me të gjitha sfidat, të cilat i ka në tri kategori, siç është paga dhe mëditjet, investimet kapitale dhe mallrat dhe shërbimet. Vështirësitë që do të ketë sistemi prokurorial janë mungesa e stafit, numri i vogël i prokurorëve në raport me nevojat, mungesa e bashkëpunëtorëve profesionalë”, shtoi Istrefi.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, kërkoi mbështetje më të madhe nga Qeveria dhe theksoi nevojën për ndarjen e parcelave në Prishtinë e Prizren për realizimin e projekteve kapitale.
“Kjo është kërkesa jonë e arsyetuar mirë, fuqizimi i shtetit ligjor e determinon nevojën për ngritje të efikasitetit të sistemit prokurorial, i cili nuk mund të arrihet pa këtë mbështetje buxhetore. Andaj, edhe në takime me ndërkombëtarë dhe me zyrtarët e qeverisë, i kam bërë kërkesat e qarta dhe rritjen e stafit të mjaftueshëm, sepse ky është një problem që po na adresohet, që ne nuk po i shpenzojmë mjetet buxhetore në dispozicion, kur qeveria nuk po vepron të ndajë parcelën në Prizren dhe Prishtinë.
Nëse adresohet nga ana e qeverisë këto kërkesa, atëherë ne mund ta lëvizim buxhetin dhe ta shpenzojmë në bazë të planifikimit buxhetor. Kjo është minimumi për kërkesat buxhetore”, tha Kelmendi.
Anëtari i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi, kritikoi mungesën e përgjigjes nga Ministria e Financave për këto kërkesa.
“Të gjithë pajtohemi për rëndësinë e buxhetit, pa buxhet nuk mund të ketë shërbime cilësore ashtu siç kërkohet, por ajo çka nuk arrij të kuptoj është fakti i mospërkrahjes dhe mospërgjigjes ndaj kërkesave tona pikërisht nga organet kompetente këtu, me theks të veçantë nga Ministria e Financave”, tha Gashi.
