Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar ndaj aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri në detyrë, Kurti ka thënë se aktgjykimi thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.
Kurti ka ftuar të gjithë krerët e subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00.
“Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për refuzim të formimit të Komisionit për votim të fshehtë, të parashtruar nga Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas këtij vendimi, brenda një muaji duke nisur nga sot deputetët e zgjedhur kanë 30 ditë të konstituojnë Kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit- zgjedhjen e kryetarit të ri dhe nënkryetarëve të rinj,
Vazhdimi i tridhjetetetë i seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë do të mbahet sot nga ora 11:00, raporton KosovaPress.
Tridhjeteshtatë vazhdimet e deritanishme janë shndërruar në një seri të dështimeve të njëpasnjëshme në mungesë të numrave nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa për kreun e ri të Kuvendit.
Albulena Haxhiu në gjashtë tentime direkte nuk ka marrë votat e mjaftueshme të deputetëve dhe Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojë komision që do të mbikëqyrte procesin e votimit të fshehur.
Kjo do të jetë seanca e parë vazhduese pasi Gjykata Kushtetuese përmes një aktgjykimi ka vendosur të enjten, më 26 qershor, që Kuvendi duhet të konstituohet brenda tridhjetë ditësh.
Aktgjykimi i Kushtetueses vjen pasi Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar për interpretim mënyrën e fshehtë të votimit që po kërkojnë Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare e re e Kuvendit.