Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj ministrit Fikrim Damka.
Në një shkrim në Facebook, ajo ka thënë se bashkë me avokatin Faton Fetahu, kishin bërë kallëzim penal për këtë skandal në qershor të vitit 2022.
“Ajo që mbetet e pashpjegueshme është mos përfshirja në aktakuzë e dy protagonisteve kyçe të kësaj afere: zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla -Schwarz dhe zëvendësministrja Liza Gashi, si përfituese direkte përmes organizatës Germin.
Kjo marrëveshje, e realizuar me pëlqimin e znj. Schwarz, shkel katër ligje të Republikës së Kosovës dhe dëmton mbi 1 milion euro nga buxheti publik”– ka shkruar ajo.
Musliu – Shoshi ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta shqyrtojë përgjegjësinë e zyrtarëve të tjerë të përfshirë, si ministrja Donika Gërvalla dhe zëvendësja e saj, Liza Gashi.
“Në këtë drejtim, i bëj thirrje me mirëbesim dhe respekt Prokurorisë Speciale që të shqyrtojë me kujdes të plotë përgjegjësinë dhe rolin e çdo zyrtari të përfshirë në këtë rast, përfshirë ministren Gërvalla dhe zëvendësen e saj, znj. Gashi.
PDK do të vazhdojë të mbrojë interesin publik dhe të kërkojë llogaridhënie për çdo abuzim me pushtetin dhe pasurinë e qytetarëve”– ka thënë ajo.