Gjykata në Lipjan ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për pesë zyrtarët policorë të përfshirë në vdekjen e 27-vjeçarit nga Lipjani, Agon Zejnullahu, raporton Ekonomia Online.
Të dyshuarit po hetohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Zejnullahu vdiq në orët e para të mëngjesit të së hënës, pak pasi ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, me dyshimin se po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugët e Lipjanit.
Të mërkuren pasdite përfundoi seanca dëgjimore e pesë policëve: Ibrahim Nela, rreshter në Stacionin Policor në Lipjan, Artidon Konxheli, zyrtar në Stacionin Policor në Lipjan, Liridon Rrahmani, zyrtar në Stacionin Policor në Lipjan, Albian Ratkoceri, zyrtar në Stacionin Policor në Lipjan dhe Endrit Beqiri, zyrtar në Stacionin Policor në Ferizaj.
Avokati Besnik Berisha, që mbron njërin nga policët e arrestuar për rastin në Lipjan, ka thënë se zyrtarët policorë nuk janë as fajtorë, as nuk e meritojnë të jenë në pritje të një dënimi, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se mjekësia s’ka folur ende për shkakun e vdekjes e as për substancat në organizmin e tani të ndjerit.
“Është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit për pesë zyrtarë policorë, për një rast që e ka tronditur secilin prej nesh. Një rast për të cilin besoj fuqishëm se asnjëri nga këta zyrtarë nuk ka kontribuar dhe as e ka shkaktuar atë. Policia sot po sulmohet, po linçohet dhe po evidentohet padrejtësisht, ndërkohë që mjekësia ende nuk ka dhënë një përgjigje për shkakun e vdekjes, e aq më pak dihet se cilat kanë qenë substancat që ndodheshin në organizmin e të ndjerit”, ka thënë avokati.
Ndërsa, avokati i familjes Zenjullahu, Asdren Hoxha, nuk u lejua të marrë pjesë në seancën gjyqësore.
Para nisjes së seancës, Hoxha deklaroi se gjyqtarja nuk ia ka mundësuar pjesëmarrjen dhe shtoi se do të ishte e drejtë që pala e dëmtuar të ketë një qasje dinjitoze, duke qenë e pranishme në seancë dhe duke mbetur e informuar për çështjen.
“Unë erdha sot për të marrë pjesë në seancën që mbahet lidhur me kërkesën për caktimin e paraburgimit nga ana e Prokurorisë. Mirëpo, çuditërisht, gjyqtarja e procedurës paraprake më refuzoi që të marr pjesë në seancë dhe të mbetem i informuar si përfaqësues i palës së dëmtuar”, tha Hoxha, raporton EO.