Zyra e Rregullatorit për Energji i ka dhënë licencë për tregtimin e energjisë elektrike “Management & Development Associates L.L.C.”, kompanisë së themeluar nga Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
ZRRE-ja njoftoi se në një mbledhje të mbajtur sot ia aprovoi aplikimin për licencë kompanisë “MDA” që tash është në emër të Driton Dalipit, vëllait të Luan Dalipit.
Licencë për tregti të rrymës mori edhe “Energy Kosova V.B”, njoftoi ZRRE-ja.
“Më 10.07.2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për energji ka mbajtur seancën e tetë (VIII) për vitin 2025. Në këtë seancë Bordi ka shqyrtuar dhe aprovuar aplikacionet për licencim të aktivitetit për furnizim me shumicë (tregtim) të energjisë elektrike të “Energy Kosova V.B” sh.p.k dhe “Management & Development Associates” sh.p.k”, thuhet në njoftim.
ZRRE-ja thotë se shqyrtoi dhe aprovoi edhe kërkesat e 11 subjekteve juridike dhe 14 personave fizikë për “marrje të autorizimit për vetë-konsum, me kapacitet total të instaluar prej 1282 kW.”
“Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji”.
Kompania “MDA”, e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) në emër të Driton Dalipit, është themeluar nga Luan Dalipi, në bazë të deklarimit të pasurisë nga shefi i stafit të Kurtit në vitin 2021.
Zyrtari më i lartë në kabinetin e Kurtit thoshte se pjesa thelbësore e pasurisë së tij bazohej në të ardhurat e kësaj kompanie. Në vitin 2021, ai kishte deklaruar 6,000.00 euro të hyra vjetore si konsulent në “MDA”.
Luan Dalipi shkruante kështu në deklarimin e pasurisë në vitin 2021, në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit: “Pasuria ime bazohet në të ardhurat nga: (1) të hyrat vjetore dhe dividentat (pjesa më substanciale) e Kompanisë ‘Management Development Associates’ (MDA); (2) të ardhurat e bashkëshortes; si dhe, (3) nga përkrahja financiare nga prindërit. Unë jam bashkëthemelues i ‘MDA’-së ( 2004 ) dhe kam qenë aksionar në këtë firmë deri më 2017. ‘MDA’ punëson rreth 30 profesionistë dhe ka pasur qarkullim mesatar vjetor 1-2 mil euro (2008-2019). Apartmani në Breg të Diellit, Prishtinë, më është dhuruar nga prindërit. Ndërsa, kapitalin e konsiderueshëm financiar për blerjen e shtëpisë me 10 ari tokë në Marigona Residencë, në Çagllavicë, si dhe veturën time dhe të bashkëshortes i kemi siguruar nga dividentat e mia, si ish-aksionar në ‘MDA’, nga të ardhurat e mia dhe të bashkëshortes (rrogat), kreditë personale, si dhe ndihmës financiare nga prindërit”.
Në bazë të deklarimit të fundit të pasurisë, Luan Dalipi nuk ka aksione në kompaninë “MDA”.
Kur doli lajmi se kjo kompani po priste të licencohej nga ZRRE , Luan Dalipi tha më 30 maj se vëllai i tij, Dritoni, “s’është ministër, s’është këshilltar”. Ai, thoshte për vëllain, “është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër”.
Luan Dalipi shkruante ndër tjerash në Facebook se “liberalizimi i tregut të energjisë është vendim ekskluziv i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), një organ i pavarur nga Qeveria që i raporton Kuvendit”.