Të paktën 30 njerëz janë vrarë nga përleshjet në pjesën jugore të Sirisë, ku autoritetet dërguan forca për ta depërshkallëzuar situatën.
Përpos të vrarëve, shumë njerëz të tjerë u plagosën gjatë dhunës mes fiseve beduine e sunite dhe luftëtarëve nga pakica fetare Druze në qytetin Sweida, raporton televizioni BBC.
Ministria e Brendshme e Sirisë tha se të paktën 30 njerëz u vranë, ndërsa Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë që e përcjell konfliktin, raportoi për 37 të vrarë.
Luftimet mes grupeve të ndryshme minoritare janë përshkallëzuar që nga rrëzimi i ish-presidentit Assad në dhjetorin e vitit të kaluar. Qeveria e re e udhëhequr nga islamistët po punon për ta vënë kontrollin brenda vendit, i cili mbetet në situatë të brishtë.
Ministria e Brendshme tha të hënën herët se forcat e saj do të ndërhynin drejtpërdrejt për ta zgjidhur konfliktin dhe për t’i ndalur përleshjet, për të cilat tha se kanë lënë 100 të lënduar.
Guvernatori i rajonit Sweida, Mustapha al-Bakur, iu bëri thirrje bashkëvendësve të tij që “të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe t’u përgjigjen thirrjeve kombëtare për reformë”. Edhe udhëheqësit shpirtërorë kanë bërë thirrje për qetësi.
Dhjetëra njerëz mbetën të vrarë në prill dhe maj të këtij viti nga përleshjet mes forcave të reja të sigurisë dhe luftëtarëve të komunitetit Druze.
Më herët këtë muaj, disa pjesëtarë të këtij komuniteti i thanë televizionit BBC se ata nuk ishin të brengosur vetëm për sulmet fizike, por edhe që nuk po mbrohen nga autoritetet e reja.
Muajve të fundit, qindra pjesëtarë të komunitetit pakicë Alawite, degë e besimit shia, gjithashtu janë vrarë. Ka ndodhur edhe një sulm brenda një kishte në Damask.
Shtetet Perëndimore kanë bërë hapa për rivendosjen e marrëdhënieve me Sirinë. Shtetet e Bashkuara këtë muaj e hoqën nga lista e organizatave terroriste grupin Hayat Tahrir al-Sham, i cili e udhëhoqi kryengritjen për rrëzimin e Assadit.