Një zyrtar i Qendrës së Regjistrimit Civil është arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprimtari korruptive, ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda.
Në një njoftim për mediat, Prokuroria bën të ditur se arrestimi është kryer në bashkëpunim me Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, pas dyshimeve të ngritura se zyrtari në fjalë kishtkërkuar dhe pranuar përfitime materiale në këmbim të ofrimit të një shërbimi zyrtar.
“Arrestohet një zyrtar publik për marrje ryshfeti Prishtinë, 14 Korrik 2025- Prokuroria Themelore në Prishtinë/Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës – Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar një person zyrtar publik (Qendra e Regjistrimit Civil), nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘’Marrje ryshfeti’’ sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
“I njëjti dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar përfitim pasuror në këmbim të një shërbimi zyrtar. Me vendim të Prokurorit të shtetit i dyshuari është ndaluar për dyzetë e tetë (48) orë. Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit si dhe mbrojtjen e interesit public”,thuhet në njoftim.