Në një deklaratë të publikuar së fundmi, Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu thekson se Qeveria nuk iu përgjigjet Prokurorisë dhe nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që kërkon që opozita t’i respektojë këto institucione dhe të votojë kandidatët e saj.
“Ju po ja ndalni demokracisë mikrofonin çdo të dytën ditë e çdo ditë po hyni në të kuqen në rrugët e Kosovës sepse shoferin në timon e keni AUTOkrat,” thuhet në deklaratë.
PDK kritikon gjithashtu situatën në veri të vendit, duke theksuar mungesën e shtetit dhe legjitimitetit, si dhe thekson largimin e rinisë nga Kosova pavarësisht pretendimeve për përmirësim ekonomik.
Në fund, opozita thekson se vota e qytetarit është themeli i demokracisë dhe asnjë qeveri nuk mund të formohet pa këtë legjitimitet.
Postimi i plotë
1) Këta që nuk i përgjigjen Prokurorisë e as nuk e respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dëshirojnë që ne t’i përgjigjemi atyre, t’i respektojmë vendimet e tyre dhe t’ua votojmë njerëzit e tyre.
2) Kjo mendësi që po tenton me marrë pushtet pa marrëveshje e pa vota të mjaftueshme ka me marrë thu n’demokraci.
3) Ju po ia ndalni demokracisë mikrofonin çdo të dytën ditë e çdo ditë po hyni në të kuqen në rrugët e Kosovës sepse shoferin në timon e keni AUTOkrat.
4) Këta që e kanë futur Kosovën nën sanksione duan me na treguar se cila është rruga e drejtë për në Evropë.
5) Këta që po e zbrazin Kosovën nga rinia po trumbetojnë se po mbushen hambarët e grurit si kurrë më parë.
6) Këta që trumbetojnë se në veri po i vije era shtet, po na lënë në situatën ku mungesa e shtetit në Kosovë po kundërmon në shtet të dhunshëm, pa legjitimitet.
7) Askush nuk mund të ndalojë dikë, as ta shtyjë me zor të bëjë Qeverinë përveç votës së qytetarit. Ky është thelbi i demokracisë. Të mos kuptohet kjo është bërthamë e budallakisë.
