Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) vlerësoi se heqja e Kosovës nga lista e vendeve të brishta është një lajmi i mirë, por me një histori të hidhur: Pse Kosova u fut dhe pse u desh kaq gjatë të dilte nga lista e vendeve të brishta.
Kryetari i AKB-së, agim Shahini tha se Kosova pagoi çmim të lartë për keqqeverisje dhe mungesë reformash dhe se heqja nga lista e vendeve të brishta është lajm i mirë, por I vonuar.
“Heqja e Kosovës nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është pa dyshim një lajm i mirë dhe i shumëpritur, që përmirëson imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe e bën më të lehtë qasjen në financa dhe investime ndërkombëtare.
Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), e shoh të nevojshme të kujtojmë me realizëm dhe përgjegjësi se përse Kosova qëndroi më shumë se 15 vjet në këtë listë.
Arsyet nuk ishin të jashtme, por kryesisht të brendshme:
Mungesë e vazhdueshme reformash të thella institucionale dhe ligjore;
Korrupsion i lartë që ka goditur besimin e qytetarëve dhe të investitorëve të huaj;
Pasiguri politike dhe kriza të shpeshta që kanë penguar zhvillimin ekonomik afatgjatë;
Burokraci dhe politika të paqarta që shpesh kanë mbajtur peng sektorin privat.
Për vite me radhë, ne si AKB kemi paralajmëruar se asnjë investitor serioz nuk guxon të hyjë në një vend ku ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, ku rregullat ndryshojnë shpesh dhe ku mungon stabiliteti politik dhe ekonomik. Këto janë pikërisht ato arsye që e bënë Kosovën të konsiderohej “shtet i brishtë dhe konfliktual”.
Heqja nga kjo listë nuk është fundi i sfidave – është vetëm një hap i madh përpara. Tani Kosova duhet:
Të konsolidojë më tej institucionet dhe sundimin e ligjit;
Të luftojë realisht dhe me rezultate korrupsionin;
Të mbështesë prodhimin vendor, inovacionin dhe investimet e huaja;
Të ofrojë stabilitet dhe politika të qarta që zgjasin më shumë se një mandat politik.
Vetëm kështu do të garantojmë që Kosova të mos kthehet më kurrë në listat e vendeve të brishta dhe që zhvillimi ekonomik të mos jetë rastësor, por i qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Biznesi, investitorët dhe qytetarët kanë paguar shumë shtrenjtë për mungesën e stabilitetit dhe reformave. Tani është koha që institucionet të dëshmojnë se kanë mësuar nga e kaluara dhe të krijojnë kushte të reja që Kosova të ecë përpara si një vend normal dhe konkurrues”, tha Agim Shahini, Kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB).