Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reagauar ndaj thirrjeve nacionaliste, ekstremiste në Kumanovë si ‘vdekje për shaqiptaret’ e ‘dhoma gazi për shqiptarët’. I pari i PDK-së ka kërkuar distancim të qartë nga Kryeministri Mickoski, ndërkohë ka folur edhe për mungesën e reagimit të Kurtit, i cili sipas tij ka kontribouar për këtë klimë.
E plotë:
Thirrjet “vdekje për shqiptarët” e “dhoma gazi për shqiptarët”, të bëra në një palestër sportive në Maqedoninë e Veriut, në prani të Kryeministrit Mickoski dhe delegacionit qeveritar, janë të rënda e të papranueshme dhe dëmtojnë bashkëjetesën në këtë shtet dhe përtej tij.
Shqiptarët janë komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe partnerë vendimtar në rrugën euroatlantike. Gjuha e urrejtjes ndaj tyre nuk është vetëm e rrezikshme, por edhe thellësisht kundër vlerave demokratike e europiane që duhet t’i bashkojnë popujt tanë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka përgjegjësi të distancohet qartë nga çdo akt ekstremist, sepse heshtja konsiderohet miratim. Ashtu si një tjetër heshtje që po bëhet gjithnjë e më zhurmshme: ajo e Kryeministrit në ikje të Kosovës, që si kumbara i kësaj qeverie në Shkup, mban përgjegjësi morale dhe politike për këtë klimë anti-shqiptare që po thellohet dita-ditës.
Dinjiteti dhe mirëqenia e çdo komuniteti nuk janë të negociueshme. Heshtja përballë gjuhës fashiste është qëndrim – andej dhe këndej kufirit! Shqiptarët kanë bërë shumë për këtë shtet, dhe nuk do të lejojnë askënd t’i nëpërkëmbë më.
