Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Haxhosaj në fshatin Prekolluk të Deçanit, e cila ka humbur kolonel Adem Haxhosajn.
Në telegramin e tij të ngushëllimit, Latifi e ka vlerësuar Haxhosajn si një personalitet të rrallë, njeri të mirë, atdhetar të përkushtuar, veprimtar të ilegales dhe luftëtar të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai theksoi se Haxhosaj ishte edhe udhëheqës i denjë gjatë luftës, ndërsa nuk e ndali angazhimin as pas saj, duke shërbyer si epror në ndërtimin e TMK-së dhe më pas të FSK-së.
“Dhimbja për humbjen e kolonel Adem Haxhosajt është e madhe, por edhe veprimtaria e tij në shërbim të atdheut dhe kombit ka lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e brezave dhe na mbush me krenari që e mund dhimbjen. E pastë të lehtë dheun e tokës arbërore. Lavdi dhe nderime, sot e përmot, emrit dhe veprës së tij!”, ka thënë Latifi.
