Kandidati i AAK-së për kryetar të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka kujtuar sot 28-vjetorin e Kryengritjes Studentore të 1 Tetorit 1997, të cilën e quajti një nga momentet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.
Latifi theksoi se kjo ditë ishte pikënisje e rezistencës dhe e luftës çlirimtare, përballë pushtuesit serb që po kryente spastrim etnik në Kosovë.
“Isha pjesë aktive e organizimit dhe demonstratave studentore, si student dhe anëtar i LKÇK-së, bashkë me shumë shokë e bashkëluftëtarë. Ishim të vendosur për ta rrëzuar pushtuesin e egër, që po bëhej çdo ditë e më i padurueshëm për popullin tonë,” tha Latifi.
Ai shtoi se studentët kanë qenë gjithnjë motor i ndryshimeve të mëdha historike. “1 Tetori është i gdhendur në piedestalin e historisë sonë kombëtare si dëshmi e krimeve që bëheshin mbi ne, por edhe si ditë e lavdishme e guximit, dinjitetit dhe atdhedashurisë. Studentët i hapën dyert lirisë, që erdhi më pas nën emblemën e shenjtë të UÇK-së,” u shpreh ai.
Në fund, Latifi u përul me nderime për të gjithë dëshmorët që ranë në luftën për liri. “Lavdi e përjetshme studentëve që u flijuan për lirinë e Kosovës,” përfundoi ai.
